Fëmija si qenie komplekse sociale
Recension për librin me poezi për fëmijë të Sami Islamit, Klea dhe Gearti
Dije Demiri-Frangu
Sami Islami është krijues i letërsisë për fëmijë. Ai shfaqi prirje dhe qasje pedagogjike letrare në shumicën e zhanreve të kësaj letërsie. Libri i fundit i tij, Klea dhe Gearti (2019), është një përmbledhje vjershash për fëmijë, me dominimin e heroit fëmijë. Libri nuk përmban përshkrime apo personifikime të sendeve apo kafshëve sepse dominojnë kryesisht karakteret e fëmijëve, kryesisht të ambientit urban, e që janë shumë aktivë dhe, para së gjithash, të lumtur e plot fantazi. Autori në poezinë e tij krijon pak personazhe por, duke i vënë në situata të rritës dhe përditshmërisë, duke i vënë në shkollën e jetës, zbulon reagime të ndryshme e të shumta të tyre, refleksione të perceptimit të realitetit me plot befasi dhe dashuri. Kështu autori na ofron psikologjinë e tyre të veçantë, të bukur e të butë, por edhe kritike. Ata në këtë libër janë fëmijë zbulues të fenomeneve jetësore dhe sociale dhe, si të tillë, ndërtohen në modele të rralla fëmijësh. Në një numër të madh poezish ata janë brenda raporteve fëmijë-fëmijë, brenda atij fëmijë-gjysh si dhe në shumë poezi fëmija shfaqet si qenie sociale e funksionalizuar, ku dominon sjellja e tij në ambiente familjare dhe jashtë shtëpisë, gjithmonë e veçuar. Raportet e tyre me gjyshin janë urbane, ndërtohen së shpeshti nëpërmjet dialogut, ku flasin si personazhe të funksionalizuara dhe jo nga pozita e dëgjuesit sepse autori nuk flet prej pozitës së ligjëruesit didaktik apo moralizues, ndaj fëmija hero në këto poezi është i vetëdijshëm dhe kritik si në vargjet: Mos e këndo këngën, gjyshe! ose Po, qava, gjysh, se s’po kuptoja anglisht!
Personazhet e këtij autori jetojnë në Londër, por flasin për Kosovën, për gjuhën shqipe, për ruajtjen e bukurisë së saj; hetojnë e kuptojnë rrezikun e asimilimit dhe nuk janë heronj që vetëm mund të dëgjojnë ndonjë përrallë. Fëmijët e kësaj poezie janë pjesëmarrës aktivë në jetë. Fëmija hero i këtij libri është inteligjent dhe përmes kësaj paraqitjeje e qasjeje autori nxit përfytyrimin e një fëmije plot besim e siguri, kënaqësinë e pjesëmarrjes në jetën e të mëdhenjve si dhe guximin e besimin te vetja. Kjo është shumë e dobishme për botën e fëmijës. Në këtë libër autori shpesh luan rolin e krijuesit rilindës, duke u marrë me motivin social e me edukimin patriotik, krahas himnizimit të vlerave të ndryshme morale, si janë edhe raportet e barabarta mes njerëzve. Poezitë të shumtën janë frymëzime të lindura nga rrethi familjar, episode e copa jete të përditshmërisë së tyre dhe të autorit, sepse ai bën rrëfime edhe nga fëmijëria e tij. (Kur vinte axha nga Shkupi).
Përmes inkorporimit të barabartë të fëmijës në jetë, autori Sami Islami pasuron konfiguracionin e letërsisë sonë për fëmijë, sepse këto poezi, pos që provokojnë imagjinatën e fëmijës, i mësojnë ata të mendojnë dhe të jetojnë si fëmijë, me sinqeritet e guxim.
Autori, duke pasur një përvojë si krijues, tregon një mjeshtri artistike për ndërtimin e vargut, një perceptim origjinal dhe një joshje të vëmendjes së lexuesit përmes një humori të lehtë. Autori ruan ndjeshmërinë e domosdoshme të ligjërimit poetik në secilën poezi, krahas rimës shumë spontane, ndaj libri funksionon artistikisht si një tërësi fiksionale. Në kohën kur mozaiku i letërsisë për fëmijë ka mbetur shumë i zbrazët, libri Klea dhe Gearti do të jetë shumë i dobishëm për fëmijët.