Fëmijët me foton e Osmanit dhe Konjufcës, reagon shef i kabinetit të kryeparlamentarit
Ilir Kërçeli, shef i kabineti të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, ka shprehur keqardhje për fotografinë ku shihen nxënësit duke mbajtur në duar foton Glauk Konjufcës dhe Vjosa Osmanit.
Kjo fotografi është realizuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Kërçeli ka thënë se një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë e tyre.
“Në këtë foto po shihen fëmijët duke mbajtur fotografinë e kryetarit të Kuvendit dhe Presidentes. Pajtohemi që nxënësit e shkollave të ndryshme të Kosovës të bëjnë vizita në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të njoftohen nga afër me punët e institucioneve të vendit. Një veprimtari e tillë ka ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën. Mirëpo jemi kundër kësaj praktike që fëmijët të mbajnë në dorë fotografi të figurave politike. Fëmijët e kanë botën e tyre të pastër dhe të pafajshme dhe duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla. Por për këtë janë përgjegjës mësimdhënësit. Shprehim keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë tonë”, ka shkruar Kërçeli në “Facebook”.