Feniksat e lirisë
Ismet Bicaj – Inxhinieri i Energjisë Diellore që ra heroikisht për t’u bërë diell i Kosovës dhe
Afrim Krasniqi – luftëtari nga Suedia që i fali jetën Kosovës
Shkruan: Astrit Gashi, Suedi
Sot e sa të jeta krenar me veprën tuaj!
E lëshuan Suedinë për t’i falën jetën Kosovës.
Fotot e tyre duhet të ishin në ambasadën tonë në secilin aktivitet. Këta janë ABC e secilit. Sa ta kem shpirtin vëllezër do t’ju kujtoj! Ju jeni kopertina më e bukur e secilit libër!
Mësues të dashur të mësimit plotësues në gjuhen shqipe ndani dy orë dhe tregojuni nxënësve për këta dy heronj të kombit.
********************************
Ismet Bicaj – Inxhinier i Energjisë Diellore që ra heroikisht për t’u bërë diell i Kosovës
Ismet Bicaj apo ndryshe i njohur me nofkën “Burim Guri” u lind në fshatin Vrellë në vitin 1958. Rrjedh nga një familje me tradita patriotike, shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, kurse shkollën e mesme e mbaroi në Pejë. Si shumë shqiptarë tjerë edhe Ismeti si i ri filloi ta ngre zërin kundër pushtetit të atëhershëm komunist. Në moshën 24-vjeçare në vitin 1982 i ndjekur nga lakenjtë e politikës komuniste detyrohej ta lëshoj Kosovën. Ai vendoset në Suedi. Në Suedi e kreu edhe Fakultetin e Elektroteknikes – dega Energji Diellore. Kur thirri zëri i Kosovës Ismeti ishte i pari, e la gruan dhe fëmijët dhe mori rrugën për Kosovë. I pajisur me të gjitha mjetet luftarake që i duhen një luftëtari radhitet në mesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Haxhaj, fshat në Shqipëri takohet me ushtarët e parë të fshatit Vrellë: Verim Blakaj, Shasivar Haxhiaj, Ali Sefaj dhe Florim Demaj. Ky takim kishte dy gëzime, njëri ishte Betimi në Ushtrinë e parë Çlirimtare të Kosovës, kurse tjetri njohja me bashkëvendësit pas plot 17 viteve. Bashkë me këta ushtarë kalon kufirin Shqipëri-Kosovë dhe kthehet në vendlindje. Ardhja e Ismetit në Vrellë me uniformë të UÇK-së ishte një ditë e përjetuar ndonjëherë me parë, kjo ardhje nuk ishte e lehtë për të e as për fshatarët. Dikush duhet ta thyente akullin e parë formimin e celulave të para të UÇK-së. Këtë akull e theu Ismet Bicaj që vepronte në nofkën Burim Guri. Ishte nder kryesorët në formimin dhe stërvitjen e ushtarëve të Brigadës 133.
Me formimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” zgjidhet ndihmës-komandant batalioni. Merr pjesë në vatrat e luftës në shumë vende të Kosovës si: Gllogjan, Likoc dhe Vrellë. Ra heroikisht, ballë për ballë me forcat serbo-çetnike më 12 prill 1999 në fshatin Vrellë. Trimat nuk vdesin kurrë. Fjalët e tij do të mbesin gjithmonë në kujtesën tonë si udhërrëfim për të ndërtuar një të ardhme ashtu siç e deshi dhe u flijua dëshmori i kombit Ismet Bicaj.
Afrim Krasniqi, luftëtari nga Suedia që i fali jetën Kosovës
Jetonte me familje në Rosengård të Suedisë, i cili ndryshe njihet edhe si kopshti i trëndafilave. Aty, Afrimi po jetonte së bashku me gruan Besën dhe dy vajzat e tija, Arjetën 6 vjeçe si dhe Saranden 3 vjeçe. Megjithatë as trëndafilat e Rosengård-it e as ngrohtësia e familjes së tij, nuk e ndaluan së shkuari në luftën për lirinë e Kosovës. Vendimin e kishte të prerë. ‘Dua të shkoj të luftoj për lirinë e Kosovës. Aty kam prindërit, farefisin, miqtë. Aty është gjaku im. Aty është vendlindja, Tërpeza-Malisheva ime’. Suedinë e çmonte shumë, për mundësitë që i kishte ofruar, por pa Kosovën nuk jetonte dot. Andaj, vendosi të niset së bashku me të gjithë djemtë e vashat që u nisën nga Suedia për të mbrojtur nderin dhe tokën e Kosovë.
U nis ballëlartë, ndonëse me dhimbje të madhe për familjen që po e linte vetëm. Në Kosovë, morri armët dhe iu bashkua radhëve të luftëtarëve të lirisë në frontin e luftës në Kosovë. Ishte njëri ndër luftëtarët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare, që po mbronin kufirin shqiptaro-shqiptar. Nga shokët e luftës, njihet si një nga luftëtarët më të aftë dhe me një taktikë të paparë. Luftonte me gjithë zemër, po aq sa e donte edhe lirinë e Kosovës.
Megjithatë, më 6 maj 1999 në kufirin shqiptaro-shqiptar, gjatë luftimeve të ashpra me armikun ai shkoi në altarin e lirisë, për të mos vdekur më kurrë. Për dikën mund të duket fat i keq, por për luftëtarët e lirisë ‘rënia si dëshmorë në vijën e frontit, më konkretisht në Rrasën e Koshares, është nderi më i madh për një luftëtar’. Afrimi nuk kishte kursyer asgjë gjatë luftimeve të ashpra në këtë betejë, sepse donte ta shpërthente një herë e mirë kufirin i cili për aq shumë dekada kishte ndarë vëllezërit me vëllezër. Dhe vërtetë, Afrimi me shokë e thyen dhe e lanë me gjakun e qindra luftëtarëve të UÇK-së. Ai ia fali jetën kombit, pikërisht aty ku ranë edhe shumë dëshmorë të tjerë si Luan Haradinaj e Mujë Krasniqi, Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahaj, Milazim Mavraj e qindra luftëtarë të tjerë.
Dhe sot pas kaq vitesh, më e pakta që ne mund të bëjmë është ta ripërtërijmë kujtimin për gjithë këta heronj të kombit. Më e pakëta që ne mund të bëjmë është t’i vizitojmë familjen e Afrimit në qytetin e Kristianstadit, aty ku sot jeton gruaja me të bijat, trashëgimtaret e tij. Për gjithkënd familja është e shenjtë. Ashtu ishte edhe për Afrimin dhe gjithë dëshmorët e tjerë e patën të vështirë t´ia kthejnë shpinën familjes, por për ta kombi ishte mbi të gjitha dhe për të luftuan. Vepra e dëshmorëve na obligon jo vetëm ne por gjithë shoqërinë shqiptare, kudoqoftë ajo, të përkujdeset së paku moralisht për fëmijët dhe familjet e tyre.
E ku ka më të bukura se vargjet që një dëshmor i thur për fëmijët e tij. E vlen të lexohen disa rreshta të shkruara nga dëshmori i kombit Tahir Mal Sinani, për të kuptuar gjithë dashurinë që luftëtarët ndjejnë për fëmijët e tyre:
O njerëz mi ofroni,
O njerëz mi shikoni,
Siç ju desha unё,
Dua t’mi doni!!