Feniksi tërhiqet nga të gjitha garat
Skuadra kampione e Kosovës në futsall, Feniksi është tërhequr nga të gjitha garat.
Në njoftimin e bërë publik, bëhet e ditur se mospërkrahja nga institucionet shtetërore ka qenë një prej arsyeve kryesore për të ndërmarr e një veprimi të tillë. “Shpresojmë që institucionet shtetërore ta kuptojnë faktin se sporti nuk mbijeton pa ndihmën e tyre”, thuhet në njoftimin e klubit nga Drenasi.
Njoftimi i plotë i FC Feniks
Pas analizës të të gjitha detajeve dhe pas disa vitesh pjesëmarrje në futsallin vendor dhe atë ndërkombëtar, duke prezantuar vlerat e sportit dhe paraqitjes njerëzore në çdo hap para syve të të gjithëve, skuadra e FC Feniks ka vendosur të ndërpres pjesëmarrjen në garat kampionale dhe garave për kupë duke u tërhequr nga çdo aktivitet sportiv.
Është vendim i dhimbshëm por i menduar gjatë dhe detajisht që sjell deri tek ky hap jo edhe i lehtë për ne, që ndër vite i kontribuuam sportit me paraqitje dinjitoze dhe me vlera të sjelljes sportive, duke u renditur tashmë si skuadra më e suksesshme e futsallit kosovar që nga themelimi i saj.
Duke falënderuar mbështetësit e deritanishëm dhe gjithë akterët pjesëmarrës në skuadër, lojtarët e deritanishëm, trajnerët dhe stafin e tyre përcjellës , urojmë që të jemi skuadra e fundit e sportit kosovar që merr një vendim të tillë. Falënderime të përzemërta për tifozët tanë të veçantë nga qyteti i Drenasit, dhe jo vetëm. Suksese në vazhdimësi dhe falënderime të gjitha skuadrave rivale që kemi pasur deri sot.
Faleminderit Kosovë, UEFA dhe ju dashamirë të sportit, ne shpresë që institucionet shtetërore ta kuptojnë faktin se sporti nuk mbijeton pa ndihmën e tyre.
/Epoka e re/