“Fenomeni” rrëfen prapaskenat e modelit të flokëve
Veç talentit të tij para një dekade e gjysmë, në sy ra gjatë Kupës së Botës edhe pamja e veçantë e sulmuesit brazilian Ronaldo.
Futbollisti i përfaqësueses “karioka”, një prej më të mirëve në turneun e vitit 2002 që u zhvillua në Korenë e Jugut dhe Japoni, bëri një zgjedhje që sot e konsideron strategjike, për të hequr vëmendjen nga problemet e vërteta fizike dhe për t’u përqendruar në fushatën që i dha titullin kampion bote.
Veç driblimeve fantastike të Ronaldos, atje ra në sy edhe qethja e tij e veçantë, që e ktheu në objekt ironie, por bëri gjithashtu të harrohen dëmtimet që e mundonin fizikisht dhe psikologjikisht. Braziliani Ronaldo vendosi rekord pas rekordi, si dhe triumfoi në finalen e madhe ndaj Gjermanisë me dy gola që i dhanë edhe “Këpucën e Artë” të turneut. Me sa duket, qethja e çuditshme ka funksionuar sipas Ronaldos.
“Kisha një dëmtim të rëndë në këmbë dhe të gjithë, duke përfshirë dhe ata në Kombëtaren time, flisnin vetëm për këtë. Vendosa që t’i hutoj disi duke prerë flokët. Në stërvitje të gjithë më tallnin, por që nga ai moment të gjithë flisnin për qethjen time dhe i harruan problemet fizike. Nuk jam krenar për atë model, por ishte efektiv dhe u përqendrova te Botërori”, tha ish-sulmuesi i pagëzuar me emrin “Fenomeni”.
Në lidhje me Botërorin e kësaj vere në Rusi, Ronaldo shikon Francën, Gjermaninë dhe Spanjën, si kombëtaret më të forta. (Top Channel)