Ferat Shala i PDK-së: Sanksionet hiqen, kur Qeveria Kurti shkon në shtëpi!
Katër vitet e fundit nën udhëheqjen e Qeverisë Kurti kanë qenë një periudhë tërësisht dështimi në fushën e politikës së jashtme për Kosovën.
Pas një periudhe të gjatë të përpjekjeve për të siguruar njohje ndërkombëtare dhe integrimin në organizata ndërkombëtare, rezultati është shokues: Kosova ka mbetur e izoluar, pa asnjë njohje të re dhe pa mundur të sigurojë as anëtarësimin në Këshillin e Evropës (KiE), një prej synimeve kryesore për forcimin e pozicionit të saj ndërkombëtar.
Deputeti i partisë më të madhe opozitare, PDK, Ferat Shala për emisionin “Expose” prodhim i GazetaBlic thotë se me ndëshkimin që Kosova mori nga BE, humbi 300 milionë euro, që ishte të përgatitura për investime në vendin tonë.
Shala për këtë fajëson institucionet shtetëore, ku i quan neglizhente e të papërgjegjshme.
“Sanksionet e BE-së kanë reflektuar në jetën tonë. Në total kemi diku rreth 300 milionë euro që kanë qenë të përgatitura për t’u investuar në Kosovë, por janë edhe dhjetëra projekte infrastruktore të mjedisit që kanë mbetur jashtë procedurave të realizimit apo fillimit të tyre. Institucionet e shtetit me një papërgjegjësi të skajshme dhe një neglizhencë të madhe na kanë sjellë para situatave të tilla, ku ne po e ndëshkojmë shtetin dhe ekonominë tonë”, tha Shala.
Sipas Deputetit të PDK-së, e vetmja mënyrë që Kosova të shpëtojë nga sanksionet e Bashkimit Evropian, është ndrrimi i Qeverisë Kurti.
“Nuk shpresoj se do të hiqen edhe pse do të dëshiroja shumë, por tashmë jemi në një situatë kur Kosova është në prag të zgjedhjeve. Qeveria edhe kur ka qenë në mandat të plotë, ka arritë të na fut vetëm në sanksione. Nuk ka mundësi që kjo Qeveri e cila na ka sjell këto probleme, ta bind faktorin ndërkombëtar që sanksionet duhet të hiqen. Duhet ndryshuar kjo Qeveri, për të ardhë deri tek largimi i sanskioneve”, potencoi Shala për Expose.