Ferdinand: Ky është problemi i Pogbas
Paul Pogba po has vështirësi në sezonin e tij të dytë në “Old Trafford” mes dëmtimeve dhe problemeve taktike me trajnerin Jose Mourinho, të cilat, sipas spekulimeve, kanë rindezur edhe nostalgjinë e rikthimit te Juventusi, klub që e la në verën e 2016-ës për shifrën rekord të 105 milionë eurove.
Por ish-qendërmbrojtësi i “djajve të kuq”, Rio Ferdinand, përpiqet të shpjegojë situatën e mesfushorit francez dhe i jep një dush të ftohtë talentit të kombëtares franceze: “Mendoj se pozicioni në fushë është pjesa kryesore e problemit. Unë do t’i kisha ulëritur fort nëse do ta kisha pasur shok skuadre, do të isha shndërruar në makthin e tij, do ta kisha torturuar në çdo pjesë të fushës.
Ai ka nevojë pikërisht për këtë dhe këtë e gjente te Juventusi. Duhet të qëndrojë në atë pjesë të fushës dhe të luajë me dëshirën për të mbrojtur skuadrën e tij. Te Juventusi kishte njerëz si Bonucci, Chiellini dhe Buffon pas që e bënin diçka të tillë. Te Manchester United ky komunikim mungon dhe nuk i kërkon askush llogari”, ka deklaruar Ferdinand.