Ferhan Hasani i jep fund karrierës

07 shkurt 2025 | 13:00

Futbollisti ikonë Ferhan Hasani ka shpallur tërheqjen nga futbolli aktiv në moshën 34-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të jashtëzakonshme, të nisur e të mbyllur te Shkëndija e Tetovës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Hasani përmes një videoje emocionuese në rrjetet sociale, ku ndau kujtimet më të bukura të karrierës së tij dhe falënderoi të gjitha klubet ku ka luajtur.

I formuar te Shkëndija, ai ishte pjesë e skuadrës që në vitin 2011 kur edhe fitoi titullin e parë kampion në histori të klubit. Më pas, talenti i tij u shpërblye me një karrierë ndërkombëtare, duke luajtur për ekipe si Wolfsburg (Gjermani), Brøndby (Danimarkë), Al Raed (Arabia Saudite), Helsinki (Finlandë), Partizani (Shqipëri) dhe Helsingør (Danimarkë). Periudha më e artë e tij ishte mes viteve 2015-2018, kur si kapiten i Shkëndijës udhëhoqi ekipin drejt titullit kampion dhe Kupës së vendit, duke e bërë skuadrën më dominante në Evropë me një diferencë rekord prej +35 pikësh.

Ai gjithashtu ishte pjesë e suksesit historik të klubit në garat evropiane, duke u përballur me ekipe të mëdha, përfshirë AC Milanin.

Përveç suksesit me klubet, Hasani la gjurmë edhe në arenën ndërkombëtare, duke qenë pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut dhe duke kontribuar në kualifikimin historik për Euro 2021. Nga një talent i akademisë së Shkëndijë i cili më pas u shndërrua në një figurë ikonike e futbollit shqiptar, Ferhan Hasani mbetet një legjendë e paharrueshme. Magjia e tij me topin dhe lidershipi do të kujtohen gjithmonë nga tifozët kuqezi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eurodeputeti Ilhan Kyuchyuk ka shprehur mbështetjen e tij për kandidatin…