Feride Rushiti do të mbajë fjalim në Parlamentin e Suedisë
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti bashkë me aktivistë tjerë të të drejtave të njeriut është duke qëndruar në Suedi, me ftesë të Rrjetit shqiptaro-suedez Svensk-Albanska Nätverket dhe Gratë Shqiptare Föreningen SAB në Suedi.
Në përpjekjen e saj të pareshtur për ndërkombëtarizimin e kauzës së të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, Rushiti do të mbajë një fjalim në Parlamentin e Suedisë.
“Përtej shpalosjes së krimeve të dhunimit dhe historive të pathëna të të mbijetuarve, ky fjalim do të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes dhe sensibilizimit të opinionit publik ndërkombëtar mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, veçanërisht krimet e përdhunimit”, është thënë në njoftimin e QKRMT-së.
Ky trumbetim ndërkombëtar, sipas QKRMT-së, vjen pikërisht në kohën kur kryerësit e këtyre krimeve janë angazhuar fuqishëm në mohimin e këtyre krimeve.
“Theksojmë që mohimi përbën fazën përfundimtare të një krimi, përmes së cilit mëtohet dekontstruktimi final i kujtimeve kolektive”, është thënë në këtë njoftimin.