Ferizaj befasoi Llapin
Skuadra e Ferizajt ka shënuar fitore tejet të rëndësishme si mysafire në ndeshjen hapëse të javës së 9-të në Ipko Superligë.
Ferizajasit arritën të mposhtin Llapin, në ndeshjen që u zhvillua, sot, në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me rezultat 4:2.
Ferizaj e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes qysh në minutën e 3-të, kur Përparim Livoreka e mposhti portierin Bledar Hajdini. Epërsinë në 2:0 e shtoi Zgjim Mustafa. Në fund të pjesës së parë llapjanët e ngushtuan epërsinë e mysafirëve me golin e Mentor Zhdrellës nga penalltia. Me të filluar pjesa e dytë ferizajasit shënuan sërish, kësaj radhe nëpërmjet Benjamin Asanit, derisa epërsinë në 4:1 e shtoi Adonis Shala, në minutën e 67-të. Ndërkohë, llapjanët në minutën e 83-të shënuan edhe golin e dytë, kur portieri Donat Kaçiu nuk reagoi si duhet pas gjuajtjes së Behar Maliqit nga distanca, mirëpo ky gol nuk ndryshoi asgjë sa i përket epilogut të ndeshjes, të cilën me meritë e fituan mysafirët.