Ferizaj bëhet gati për “Ditët e Kulturës”
Në Komunën e Ferizajt të mërkurën do të fillojnë “Ditët e Kulturës Ferizaj 2018”, një eveniment i kulturës i cili për disa ditë para ferizajasve do të ofrojë shumë aktivitete kulturore.
Këto aktivitete organizohen nën përkujdesjen e kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu. Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Xhemile Murati-Shabani, ka thënë se hapja solemne e “Ditëve të Kulturës” do të bëhet me Festivalin e Fëmijëve “Fëmijët e gëzuar”.
Ky festival do ta shënojë edhe 30-vjetorin e themelimit. “Artdashësit dhe dashamirësit e kulturës kanë një rast të mirë të njihen me rrjedhat e krijimtarisë kulturore dhe t’i shijojnë ato vlera që po krijohen në këtë mjedis”, ka thënë Murati-Shabani.
Ndërsa drejtori i festivalit “Fëmijët e gëzuar”, Nazmi Aliu, ka bërë me dije se në këtë festival konkurrenca ka qenë e jashtëzakonshme, ndërkaq nga juria profesionale janë zgjedhur edhe këngët konkurruese. Manifestimi “Ditët e kulturës” do të mbahet deri më 12 qershor.
/Epoka e re/