Ferizaj do të bëhet me Qendër Multifunksionale
Ministri në largim i Kulturës, Rinisë dhe Sportit , Kujtim Gashi, ka bërë të ditur se me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliun, kanë nënshkruar memorandumin për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale në Ferizaj.
Në profilin e tij në “Facebook”, Gashi ka shkruar se ky është një projekt kapital i pari i kësaj natyre.
Sipas tij, ky projekt ngërthen në vete hapësira të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive, në mesin e të cilëve do të ketë edhe një sallë prej 840 ulëseve.
Postimi i plotë i Gashit:
Sot bashkë me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu, nënshkruam memorandumin për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale në Ferizaj, projekt kapital, i pari në Kosovë i kësaj natyre.
Projekti kalon vlerën e mbi 4 milion eurove, dhe është investim i ministrisë të cilën unë e udhëheq. Është një projekt i cili ngërthen në vete hapësira të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive, në mesin e të cilëve do të ketë edhe një sallë prej 840 ulëseve, pastaj hapësira për galeri si dhe pjesë e qendrës do të jetë edhe muzeu i qytetit si dhe sallat koncertale e teatrale.
Në Ferizaj, për tri vitet e ardhshme të investohen mbi 10 milionë euro. Kanë përfunduar shumë projekte dhe janë në finalizim e sipër shumë të tilla, si investimet në rinovimin e stadiumit të qytetit dhe finalizimin e sallës së sporteve dhe panaireve në Greme, rinovimin e teatrit aktual dhe tërë këto po bëhen sepse Ferizaji ka një traditë jashtëzakonisht të mirë të zhvillimit të aktiviteteve.