Ferizaj lokalizon të infektuarit me koronavirus, flasin edhe me ‘Bondsteel’-in për masat parandaluese

12 prill 2020 | 14:31

Në Komunën e Ferizajt deri më tani janë paraqitur 18 raste pozitiv me koronavirus. Burimi i infeksionit në këtë komunë është kampi ushtarak i “Bondsteel”-it.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se të infektuarit janë në dy grupe. Njëri grup është familja e të ndjerit që ka punuar në kampin Bondsteel dhe grupi tjetër është grupi i kolegëve të të ndjerit.

Ferizaji është futur në karantinë si pasojë e rritjes së numrit të të prekurve me koronavirus. Një person ka ndërruar jetë si pasojë e Covid-19 nga kjo komunë.

Nga 18 raste, 3 janë nga qyteti i Ferizajt dhe 15 të tjerë nga fshatrat e kësaj komune.

Kryetari Aliu ka thënë se 6 fshatra janë tashmë të izoluara, vendbanimet prej nga janë të prekurit.

“Ferizaji tani më është futur në karantinë, kryesisht prej nga e kanë origjinën të infektuarit janë 6 fshatra në izolim. 18 raste janë gjithsej, 15 nga fshatrat dhe 3 në qytet janë pozitiv”, ka thënë Aliu për “Express”.

Ai është shprehur se burimi i koronavirusit në këtë komunë është nga kampi “Bondsteel”.

“Rasti i parë nga komuna jonë i cili ka ndërruar jetë ka punuar në ‘Bondsteel’. Tani kemi dy grupe të të infektuarve. Grupi i parë është familja e të ndjerit ndërsa grupi i dytë janë kolegët e të ndjerit që ka punuar me ta”, ka thënë kryetari Aliu.

Aliu ka bërë me dije se kanë biseduar me KFOR-in dhe të njëjtën e ka bërë edhe ministri në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia për masat që duhet të ndërmerren për stafin civil të kampit ushtarak.

Ai ka thënë se me kampin “Bondsteel” janë duke punuar me kufizime, por që nuk e kanë parë të arsyeshme që të ndalë punën për të gjithë të punësuarit aty.

“Ne kemi biseduar me KFOR-in, kanë filluar me marrë masa. Tani stafi civil është duke punuar me kufizime mirëpo nuk e kanë parë të arsyeshme që të ndalojnë punën në tërësi. Kampi ushtarak punon nën juridiksionin e tyre dhe ne si komunë nuk kemi kompetenca aty”, ka deklaruar Aliu.

Aktualisht, Kosova po përballet me koronavirusin nga i cili deri më tani kanë vdekur 7 persona, janë infektuar 287 si dhe janë shëruar 58 të tjerë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Recep Altundas nga Bursa e Turqisë, është 93-vjeçari i dytë…