Ferizaj me urdhëresë ndalon vrasjen, keqtrajtimin dhe garat me kafshë
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka nxjerr një urdhëresë sipas të cilës ndalohet vrasja, keqtrajtimi dhe garat me kafshë.
Komuna e Ferizajt ka bërë me dije se ata që nuk e respektojnë këtë urdhëresë do të gjobitën nga 100 deri në 5 000 euro. “Në funksion të zbatimit të Ligjit për përkujdesjen e kafshëve dhe me qëllim eliminimin e fenomenit të vrasjeve, keqtrajtimit dhe organizimit të garave me kafshë, i pari i Ferizajt, Agim Aliu sot ka marrë një urdhëresë përmes së cilës ndalohet vrasja, keqtrajtimi dhe organizimi i garave të kundërligjshme me kafshë në gjithë territorin e Ferizajt. Kjo urdhëresë, zbatimin e së cilës do ta bëj Inspektorati i Komunës, mëton që të minimizoj këtë fenomen në gjithë territorin e Ferizajt, duke paraparë edhe gjoba ndaj shkelësve të kësaj urdhërese nga 100 deri në 5 000 euro”, ka njoftuar Komuna e Ferizajt.
Sipas kësaj komunë, trajtimi i kafshëve dhe kujdesi ndaj tyre tashmë po merr formë institucionale përmes këtij akti të ndëshkuar nga kryetari Agim Aliu. “Komuna e Ferizajt, inkurajon gjithë qytetarët që të denoncojnë rastet kur hasin në fenomene të tilla të cilat janë fatale dhe të parikuperueshme për jetën shtazore në territorin e Ferizajt, duke i paraqitur shkelësit e kësaj urdhërese pranë Inspektoratit të Komunës dhe Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë”, është thënë në njoftimin e kësaj komune.
/Epoka e re/