Ferizaj, ndihmohen familjet në nevojë
Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj në bashkëpunim me organizatën “Islamik Reliev”, ka bërë shpërndarjen e ndihmave për 100 familje me gjendje jo të mirë socio-ekonomike.
Këto familje janë furnizuar me nga një pako ushqimore në vlerën prej 50 euro për familje dhe me nga dy batanije.
Me këtë rast drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besnik Berisha, është shprehur se në forma të ndryshme, po mundohen që në këto ditë dimri t’ju dalin në ndihmë familjeve në nevojë.
“Ne si drejtori po mundohemi që t’ju dalim në ndihmë këtyre familje që kanë nevojë. Unë po ashtu i falënderoj donatorët për këtë ndihmës, por ftojë edhe donatorë të tjerë që të jenë bashkëpunues me ne, në mënyrë që t’ju dalim në ndihmë të gjitha familjeve që kanë nevojë për ndihma të tilla”, ka thënë Berisha.
Ndërsa përfaqësuesi i organizatës “Islamik Reliev”, Blerim Gashi, është shprehur se kjo është një ndihmës e vogël për këto familje që këto ditë të ftohta dimri, po i kalojnë në kushte shumë të rënda.
Edhe familjet që ishin përfitues të këtyre ndihmave kanë falënderuar të gjithë ata që i ndihmuan në këto ditë dimri. Ata kanë thënë se nevojat për gjëra ushqimore i kanë shumë të mëdha.