Ferizaj nënshkruan marrëveshje me TIKA-n, priten investime të mëdha në bujqësi
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, dhe koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Hasan Burak Ceran, kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëfinancim në fushën e bujqësisë.
Sipas kësaj marrëveshje parashihet të investohet një shumë prej 40 mijë euro në mekanizmin bujqësor, përkatësisht në pajisjet dhe veglat e nevojshme që do të shpërndahen tek dhjetëra bujq ferizajas.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se raportet e kësaj komune me TIKA-n janë vendosur kohë më parë.
“Sigurisht që ky është rezultat i një bashkëpunimi të natyrshëm në mes dy popujve dhe dy shteteve tona mike. Populli turk dhe shteti turk gjithmonë ka qenë mbështetëse ndaj Republikës së Kosovës dhe po ashtu edhe TIKA në këtë rast”, ka thënë Aliu.
Ndërsa, Hasan Burak Ceran, koordinator i TIKA-s, ka thënë se synimet e kësaj agjencie janë që të ndihmojë në zhvillimin ekonomik-social, me theks të veçantë rritjen e mundësisë për vende pune.
/Epoka e re/