Ferizaj shënon Ditën e Mësuesit
Në Teatrin “Adriana” në Ferizaj është shënuar të premten 7 Marsi – Dita e Mësuesit.
Në këtë manifestim kanë marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Kristina Gashi-Bytyçi, drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, drejtorë të drejtorive komunale, pjesëtare të FSK-së, mësues dhe veteranë të arsimit.
Me këtë rast, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani, të pranishmit i ka përshëndetur në emër të kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, ndërsa është shprehur se sot është një nga ditët më të shënuara në historinë e arsimit të kombit shqiptar, sepse po përkujtohet mësonjëtorja e parë shqipe.
“Sot, kur kujtojmë lindjen e Shkollës së Korçës, Pandeli Sotirin e Petro Nini Luarasin, kur kujtojmë rilindjen e madhe shqiptare të Naimit, Samiut, De Radës, Kristoforidhit, kur kujtojmë 7 Marsin e Shaban Jasharit, kur kujtojmë marsat e shtëpive shkolla, të mbijetesës ë te sakrificës, sot, lirisht mund të shpallim shkollën shqipe flamur më të lartësuar të lirisë së shqiptarëve, bartur nga mësuesit e të gjithë brezave deri në ditët e sotme me përkushtim, krenari, sakrificë e heroizëm të jashtëzakonshëm. Është shkolla jonë shqipe që na solli këtu ku jemi sot, në këtë festë e orë historie teksa kthehemi pas me krenari e admirim, shohim para me shpresë e besim në vete”, ka thënë drejtori Llabjani.
Në këtë ngjarje, nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, së bashku me drejtorin e Arsimit Afrim Llabjani, kanë ndarë mirënjohje për mësimdhënësit të cilët janë pensionuar nga 7 marsi i vitit 2019 e deri më sot.