Fermerët duhet të mbështeten në këtë periudhë pandemie

19 prill 2020 | 22:42

Shkruan: Imer Rusinovci

Pandemia e quajtur coronavirus përveç që atakon njerëz të shumtë, pa mëdyshje do ta dëmtojë skajshmërisht edhe zinxhirin e prodhimtarisë primare në bujqësi dhe përpunimin e lëndëve të para në industritë ushqimore. Shumë njerëz do të mbesin të papunë, shumë fabrika të industrive ushqimore do të mbyllen në shumë vende të botës (të cilat janë eksportuese të kontingjenteve të mëdha të ushqimit), andaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të gatshëm që potencialet tona prodhuese t’i funksionalizojmë makskimalisht, që të mos prekemi edhe nga pamjaftueshmëria e ushqimit.
Pavarësisht se papërgjegjësitë “jetime” për 20 vitet e kaluara, rezultuan me invazione të mëdha të popullatës në qytete, duke braktisur shumë zona rurale (zhvendosje jonormale të popullsisë rurale në qendrat urbane), jemi në një situatë që do të varemi nga furnizimet me ushqime në tregun tonë, rreth sigurimit të bukës, qumështit, vajit, mishit, perimeve dhe prodhimeve tjera elementare ushqyese.
Në situatën që ndodhemi nevojiten masa të veçanta, të monitoruara dhe të planifikuara mirë nga mekanizmat shtetëror, që ta përballojmë këtë sfidë të rëndë të kohës. Fermerët vendor duhet të jenë të stimuluar dhe të njëjtit duhet të trajtohen si shtresa më e respektuar e shoqërisë. Aktualisht na nevojitet një gatishmëri, mbikëqyrje dhe përkujdesje institucionale, se çka mund të ndodhë nëse fermerët që prodhojnë ushqim sëmuren, nuk mund t’i transportojnë prodhimet e tyre në pika të shitjes, grurin e korrur nuk mund ta dërgojnë në industritë e blojës apo furra të bukës etj. Vetëm të stimuluar dhe të monitoruar, fermerët e respektuar mund t’í zbatojnë mbjelljet pranverore në këtë vit të vështirë, jo vetëm që të kemi prodhimtari më të lartë në nivel vendi, porse edhe për faktin që në këtë periudhë pandemie të kemi edhe mbështetje në prodhimet tona bujqësore për konsum, nga prodhimi vendor.
Të vetëdijshëm se po përballemi me pandeminë COVID 19, në fillim të kësaj periudhe vegjetative (siç është rasti me këtë vit jo të rëndomtë), rekomandoj të zbatohen me korrektësi mbjelljet e kulturave pranverore (prilli është afat optimal i mbjelljeve të kulturave strategjike si: misrit, patates etj.), që mos të përballemi me ndërprerje të furnizimit me ushqim, si rezultat i pandemisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Malishevës,të dielën ka shënuar edhe një ditë pa…