Fermerët e Rahovecit që janë dëmtuar nga breshri dhe vërshimet kërkojnë që t’u ekzekutohen mjetet
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të fermerëve të dëmtuar nga breshri dhe vërshimet që ndodhën gjatë muajit maj në këtë komunë.
Arsyeja e këtyre fermerëve që ai kishin mësyrë komunës së Rahovecit, ishte për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj vonesave të qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, në ekzekutimin e 25 për qind të vlerës së dëmit të shkaktuar nga breshri dhe vërshimet.
“Qeveria më 5 korrik ka ndarë mbi 1.8 milionë euro për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë bujqësore nga fatkeqësitë natyrore, e ndër komunat përfituese është edhe komuna e Rahovecit, në shumën: 660,275.00 euro. Ne si komunë kemi përfunduar të gjitha procedurat e kërkuara nga ana e Ministrisë për kompensimin e fermerëve tanë, andaj presim që Qeveria e Republikës së Kosovës të reflektojë dhe sa më shpejtë të ekzekutojë vendimin për dëmshpërblim të fermerëve të kësaj treve, ku bujqësia zë vendin kryesor”, ka thënë Latifi.
Ai ka theksuar se mirëpresin çdo vendim në dobi të fermerëve të komunës së Rahovecit. “Kërkojmë të kryhet procesi i ekzekutimit të pagesave për kompensimin e dëmeve. Vonesat po e rëndojnë gjendjen edhe më shumë”, ka deklaruar kryetari Latifi.
(Q.R / Epoka e re)