Fermerët holandez të zemëruar nga qeveria, bllokojnë autostradat

10 korrik 2022 | 22:40

Raftet e supermarketeve janë bosh pasi fermerët bllokojnë qendrat e shpërndarjes. Policia qëllon në drejtim të traktorëve.

Fermerët holandezë po shprehin pakënaqësi këto ditë dhe nuk kanë ndërmend të tërhiqen. Ata janë të zemëruar me planet e qeverisë holandeze për të reduktuar emetimet e oksidit të azotit dhe amoniakut, të cilat sipas tyre do të shkatërrojnë mënyrën e tyre të jetesës dhe do t’i lënë ata pa mjete jetese.

Nëse planet e qeverisë do të zbatohen, sektori i bujqësisë në Holandë do të përjetojë një transformim rrënjësor dhe protesta të ngjashme priten edhe në vende të tjera evropiane ku janë paralajmëruar reforma të ngjashme.

Qeveria holandeze thotë se reformat po bëhen për të mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe mjedisin nga ndotja e oksidit të azotit dhe amoniakut të prodhuar nga industria blegtorale.

Në Holandë janë regjistruar 1.57 milionë lopë për qumësht dhe pak më shumë se një milion viça për mish. Fermat holandeze kishin eksporte prej 94.5 miliardë euro në 2019.

Qeveria holandeze planifikon të ulë emetimet e oksidit të azotit dhe amoniakut me 50 për qind deri në vitin 2030 dhe ka siguruar 24.3 miliardë euro për të financuar ndryshimet. Autoritetet rajonale kanë një vit për të bërë plane për zbatimin e reduktimit.

Fermerët protestojnë prej vitesh ndaj politikave të qeverisë, por ky ndryshim ka ndezur protesta të reja, me bllokimin e traktorëve të autostradave dhe qendrave të shpërndarjes. Fermerët u përleshën edhe me policinë jashtë shtëpisë së ministrit të ngarkuar për reduktimin e emetimeve. Këtë javë, një oficer policie qëlloi një traktor që drejtohej nga një djalë 16-vjeçar.

Qeveria holandeze caktoi një ndërmjetës në negociatat me fermerët, por kjo u refuzua menjëherë nga fermerët.

“Qeveria nuk na lë hapësirë për të bërë biseda reale. Në këto kushte, të flasësh me një ndërmjetës nuk ka kuptim”, tha LTO, grupi më i madh lobues i fermerëve në vend.

LTO, e cila përfaqëson rreth 30,000 ferma, pothuajse gjysma e totalit në Holandë, thotë se plani i reduktimit të emetimeve është i pazbatueshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Migjen Kelmendi Asht nji vend dhe nji lum, që…