Fernandesi flet për të ardhmen pas interesimit nga Arabia Saudite
Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka insistuar se është i lumtur në klub, pavarësisht raporteve që e lidhin atë me një transferim në Arabinë Saudite.
Fernandes është thënë se kërkohet nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF), që ka në pronësi katër skuadra të Ligës Pro Saudite.
Pavarësisht se është kapiten i United paraqitjet dhe qëndrimi i mesfushorit kanë tërhequr kritika gjatë vitit të kaluar.
Megjithatë, 29-vjeçari ka hedhur poshtë thashethemet se ai mund të largohet nga “Old Trafford”.
“Unë jam i fokusuar te kombëtarja dhe United. Jam i lumtur ku jam. Në Kombëtare kemi pasur disa momente shumë të mira, te Manchester United nuk e nisëm ashtu siç donim. Unë nuk i shikoj thashethemet. Unë nuk u kushtoj vëmendje atyre. Sot është shumë e lehtë të përhapësh thashetheme në shtyp. Preferoj të përqendrohem në objektivat e mia”, ka thënë ai.
Kontrata e tij skadon në vitin 2026, kohë në të cilën ai do të jetë 31 vjeç.