Feronikeli beson në kualifikim
Kampionët e Kosovës janë të gatshëm ta mposhtin sot Slovan Bratislavën dhe të kualifikohen në rrethin e tretë të Ligës së Evropës.
Feronikeli është i gatshëm për ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë në Ligën e Evropës ndaj Slovan Bratislavës. Skuadra kampione e Kosovës e humbi ndeshjen e parë me rezultat 2-1 në Sllovaki, por tash kjo skuadër po synon ta përmbysë këtë rezultat dhe të kualifikohet në rrethin e tretë të kësaj gare. Sulmuesi Mevlan Zeka ka thënë se shanset e skuadrës së Kosovës janë të mëdha që të kualifikohet tutje. “Kemi pasur paraqite të mirë ndaj një skuadre të fortë siç është Slovani, e cila ka përvojë të madhe në ndeshjet ndërkombëtare. Asgjë nuk është e pamundur, sepse tash të gjithë dinë të luajnë futboll. Besoj shumë se në ndeshjen e kthimit të kemi përkrahje të madhe dhe do të luajmë për fitore e kualifikim. Nuk kemi çfarë të kalkulojmë dhe fitorja është obligimi ynë në ndeshjen që e luajmë si vendës”, ka thënë Zeka për gazetë.
Futbollist i Slovan Bratislavës, Joeri De Kamps, e pranon se mikpritja nuk do të jetë e mirë në Prishtinë pas gjithë asaj që ka ndodhur në Sllovaki, por paralajmëron se në Kosovë kanë ardhur me synim për t’u kualifikuar tutje. “E di që nuk do të pritemi mirë këtu pas asaj që ka ndodhur në Sllovaki. Mendoj se Feronikeli do ta ketë më të lehtë në këtë aspekt, por ne do të mundohemi ta luajmë lojën tonë. Në ndeshjen e parë nuk kemi pasur paraqitje të mirë ashtu siç kemi pritur. Si do që të jetë, ne nuk do të frikësohemi dhe do të kërkojmë kalimin në rrethin tjetër”, ka thënë De Kamps.
Feronikeli është pjesë e Ligës së Evropës, pasi në Ligën e Kampionëve është eliminuar nga The New Saints e Uellsit, pasi në ndeshjen e parë luajti me rezultat 2-2, kurse në ndeshjen e kthimit pësoi humbje në “Fadil Vokrri” me rezultat 0-1. Për ndeshjen që zhvillohet sot në Prishtinë kanë paralajmëruar organizim të madh edhe tifozët e Feronikelit, “Tigrat e Zi”. Kjo ka ardhur pasi në ndeshjen e parë të zhvilluar në Sllovaki, tifozët vendës të Slovanit nuk janë treguar aspak miqësorë me Feronikelin, pasi kanë shfaqur banderola me mbishkrimin se Kosova është Serbi. Kjo i ka irrituar “Tigrat e Zi”, të cilët kërkojnë mbështetjen e të gjithë tifozëve shqiptarë. “Të gjithë për ‘Niklin’, të gjithë për Shqipërinë. Kosova është Shqipëri”, thuhet në njoftimin e “Tigrave të Zi”.
Sot dalin në shitje biletat për ndeshjen Feronikeli – Slovan
Sot (e martë) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Feronikeli zhvillon takimin kthyes për kualifikime të Ligës së Evropës ndaj Slovan Bratislavës. Biletat për këtë ndeshje dalin në shitje të martën nga ora 9:00. Biletat shiten në dy pika te stadiumi “Fadil Vokrri”, kurse biletat gjenden edhe në restorant “Diamant” në Drenas dhe Pizzeria “Diamant” në Komoran. Ashtu si në ndeshjen e fundit, edhe për këtë takim do të ketë mijëra bileta falas. Çmimet e biletave për veri dhe jug janë nga 3 euro, për lindje çmimi i tyre është 5 euro, derisa për përmendim 10 euro. Në zonën VIP biletat kushtojnë 15 euro.
/Veton ZYMBERI/