Feronikeli deklason Lirinë
Skuadra e Feronikelit po ecën sigurt drejtë titullit të kampionit në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, pasi sot e mposhti skuadrën e Lirisë me rezultat bindës 0-4.
Skuadrës nga Drenasi i kanë mjaftuar vetëm tetë minuta lojë për të kaluar në epërsi me golin e Kastriot Rexhës. Sulmuesi shtatlartë që mungoj në ndeshjen e kaluar ndaj Ballkanit tregoi se sa i rendesishëm është për skuadrën e tij, pasi shënoi edhe golin e dytë në minutën e 37-të.
Feronikeli vazhdoi me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë. Në minutën e 70-të, Mevlan Zeka shënoi ndaj ish-skuadrës për rezultatin 0-3, derisa për rezultatin final 0-4 u përkujdes mesfushori Albert Dabiqaj, i cili realizoi në fund të ndeshjes.
Pas kësaj ndeshje Feronikeli vazhdon të jetë i pari me 62 pikë, kurse skuadra nga Prizreni është e parafundit me 24 pikë.
/Veton ZYMBERI/