Feronikeli dhe Arbëria luftojnë për mbijetesë
Java e 31-të në Superligën e Kosovës në futboll do të jetë interesante si për luftën për titull ashtu edhe për mbijetesë.
Sot (e martë) zhvillohet vetëm një ndeshje, ku Feronikeli në Drenas e pret skuadrën e Arbërisë. Momentalisht “Nikli” është në pozicion më të mirë për faktin se ka 35 pikë të grumbulluara, por mbijetesën ende nuk e ka siguruar dhe në këtë ndeshje do të hyjë për tri pikët e plota. Në anën tjetër, Arbëria, pas fitores kundër Besës në fundjavë, është e motivuar të marrë edhe një tjetër rezultat pozitiv, pasi ka grumbulluar 30 pikë dhe ka shanse të luftojë për mbetjen në elitë. Katër ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje zhvillohen të mërkurën.
Ballkani e pret në Suharekë skuadrën e Llapit dhe synim do të ketë marrjen e tri pikëve dhe ruajtjen e pozitës së parë në elitë, të cilën e mori të dielën falë humbjes së Dritës nga Prishtina. Llapi është i koncentruar në finalen e Kupës dhe në këtë ndeshje nuk ka shumë ambicie. Prishtina e supermotivuar pas fitores në derbin e fundjavës, kërkon tri pikët e reja në përballje me Trepçën ’89, në ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kampionia në fuqi, Drita, pasi e humbi pozitën e parë, do të kërkojë t’u rikthehet rezultateve pozitive në ndeshjen ndaj Besës së Pejës, kurse Drenica do të ketë punë me Gjilanin. Kjo e fundit nuk është në garë për titull e as për mbijetesë, prandaj kuqezinjtë do të mundohen të marrin pikë në Gjilan.
SUPERLIGA – Java 31
Të martën takohen:
15:00 Feronikeli – Arbëria
Të mërkurën takohen:
15:00 Prishtina – Trepça’89
15:00 Gjilani – Drenica
15:00 Ballkani – Llapi
15:00 Besa – Drita
Tabela
- Ballkani 30 64 pikë
- Drita 30 64
- Prishtina 30 63
- Gjilani 30 43
- Llapi 30 39
- Feronikeli 30 35
- Trepça ’89 30 35
- Drenica 30 34
- Arbëria 30 30
- Besa 30 10
/Epoka e re/