Feronikeli dhe gjashtë klubet e tjera ndërrojnë trajnerët
Shtatë nga dymbëdhjetë klubet e Superligës së Kosovës në futboll kanë bërë ndryshime në pozitat e trajnerit, kurse risia më e madhe është emërimi i Dejan Vukiqeviqit në krye të skuadrës së Feronikelit. Ish-lojtari i Sevillas dhe Partizanit të Beogradit është prezantuar të martën si trajner i kampionëve në fuqi, ndërsa në Superligë do të debutojë trajneri vendor Shpëtim Idrizi, ish-kapiten legjendar i Trepçës ’89.
Pushimi veror ka sjellë ndryshime të shumta në shtabet teknike te skuadra elitare në futbollin e Kosovës. E fundit që ka emëruar trajner të ri është Feronikeli nga Drenasi. Kampionët në fuqi të Kosovës e zëvendësuan Zekirija Ramadanin me Dejan Vukiqeviqin, i cili ka një karrierë të pasur si futbollist dhe si trajner. “KF Feronikeli ka arritur marrëveshje me trajnerin Dejan Vukiqeviq. Ai ka qenë futbollist i shumë skuadrave të njohura si Buduçnost/Mogren/Budva, Partizan/Beograd, Sevilla/Spanjë, Larnaca/Qipro. Vukiqeviq ka qenë po ashtu trajner i shumë skuadrave të njohura si Zeta/Podgorica, Mogren/Budva, Mladost/Podgorica, Vojvodina/Novi Sad, Dacia Chisinau/Moldova dhe, në fund, në kampionatin paraprak 2018/2019, ishte trajner i skuadrës Ventspils/Latvia”, thuhet në njoftimin e Feronikelit.
Marrëveshja në mes të trajnerit malazez dhe “Niklit” është njëvjeçare, kurse të martën pasdite trajneri ka qenë i pranishëm në stërvitjen e skuadrës së Feornikelit.
Një ditë më herët se Feronikeli trajnerin e ri e ka prezantuar edhe skuadra e Ferizajt. Kjo e fundit në vend të Bylbyl Sokolit të larguar e ka emëruar Bekim Isufin, i cili vlerësohet si një nga trajnerët më të mirë në vend. Isufi në edicionin 2017/2018 e kishte shpallur Dritën kampione e më pas me këtë skuadër mori pjesë në garat ndërkombëtare. “Bordi udhëheqës i klubit futbollistik ‘Ferizaj’ arriti marrëveshjen me trajnerin e mirënjohur Bekim Isufi për ta drejtuar skuadrën tonë, në kampionatin futbollistik 2019/2020”, thuhet në njoftimin e KF Ferizaj.
Njëjtë ka vepruar edhe skuadra e Trepçës ’89. Mitrovicasit nuk janë paraqitur mirë në edicionin e fundit dhe në edicionin e ri detyrën e trajnerit ia kanë besuar Shpëtim Idrizit, i cili ishte kapiten për shumë vite dhe shtyllë e skuadrës nga “Riza Lushta”.
Ndërsa ndryshime në shtabin teknik ka bërë edhe Ballkani i Suharekës. Kjo skuadër nuk arriti marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin Gani Sejdiu dhe në vend të tij e ka emëruar Ismet Munishin. Një ndryshim të papritur e ka bërë edhe skuadra e Flamurtarit, e cila, edhe pse pati rezultate të mira nën drejtimin e Arsim Thaqit, vendosi që pasardhës i tij të jetë Artim Shaqiri, ish-reprezentuesi i Maqedonisë Veriore dhe futbollist i Premierë Ligës.
Ndryshime në shtabet teknike kanë bërë edhe dy skuadrat e inkuadruara në IPKO Superligë, Vushtrria dhe Dukagjini i Klinës. Klubi nga Vushtrria në vend të Samuel Nikajt e emëroi Bekim Shotanin, kurse Dukagjini i Klinës e ka emëruar trajner Xhengiz Rexhepin, i cili në edicionin e kaluar e drejtoi skuadrën e Llapit.
Ndërsa të paprekshëm ishin pesë trajnerë, duke nisur nga Mirel Josa i Prishtinës, më pas Tahir Batatina i Llapit, por edhe Tahir Lushtaku i Drenicës. Dy skuadrat e tjera që iu besuan trajnerëve paraprakë ishin skuadrat nga qyteti i Gjilanit, Drita dhe Gjilani. Ardian Nuhiu do të vazhdojë punën me Dritën, kurse Gentian Mezani me Gjilanin.
/Veton ZYMBERI/