Feronikeli dhe Prishtina paralajmërojnë fitore

04 prill 2019 | 12:05

Dy ndeshjet e fundit për javën e 25-të zhvillohen sot (e enjte), kurse takohen Feronikeli – Ballkani dhe Prishtina – Liria. Sulmuesi Kastriot Rexha ka paralajmëruar se “Nikli”, pas barazimit në fundjavë ndaj Flamurtarit, sot do të shënojë fitore ndaj skuadrës së Ballkanit. “Ndeshjen e radhës e kemi ndaj Ballkanit në shtëpi dhe normalisht se presim fitore. Përndryshe, skuadra e Ballkanit është mjaft cilësore dhe ka futbollistë të dëshmuar. Ne e respektojmë maksimalisht, por pikët mbesin në Drenas”, ka thënë Rexha për “Epokën e re”.

Gazeta ka kontaktuar edhe futbollistët e Ballkanit, por ata kanë thënë se klubi ua ka ndaluar prononcimin për medie para ndeshjes me Feronikelin.

Për fitore është përgatitur maksimalisht edhe Prishtina që e pret Lirinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. Sulmuesi i “bardhekaltërve”, Marjo Morina, ka thënë se ndeshja ndaj Lirisë ka rëndësi të madhe dhe për fitore duhet të angazhohen maksimalisht sikur kundërshtar të ishte Feronikeli. “Në ndeshjet e fundit kemi marrë maksimumin e pikëve. Besoj se jemi futur në ritëm dhe nuk do ndalemi më. Ndërsa Lirinë duhet vlerësuar maksimalisht, sepse s’mund të thuash që është ekip i dobët veçse pësoi katër gola me Llapin në fushën e vet. Ne duhet t’ia bëjmë hyzmetin ndeshjes si kundër Lirisë, si kundër Feronikelit që t’i marrim tri pikët, sepse nuk na falën më gabimet”, ka thënë Morina për faqen e klubit kryeqytetas. Feronikeli është në pozitën e parë dhe në 24 ndeshjet e zhvilluara deri tash ka arritur 17 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje dhe ka grumbulluar 56 pikë, kurse Prishtina është në pozitën e tretë me tri pikë me pak, kurse në pozitën e dytë është Llapi me 54 pikë.

IPKO Superliga

Trepça ’89 – Flamurtari        1-0
Llapi – Ferizaj                          2-0
Drenica – Gjilani                     0-0
Drita – KEK-u                          4-0

Të enjten takohen:

Feronikeli – Ballkani
Prishtina – Liria

Tabela

 

  1. Feronikeli   24 56 pikë
  2. Llapi             25 54
  3. Prishtina      24 53
  4. Drita             25 44
  5. Drenica        25 34
  6. Gjilani          25 34
  7. Trepça ’89   25 32
  8. Ballkani       24 29
  9. Flamurtari  25 29
  10. Ferizaj          25 25
  11. Liria              24 24
  12. KEK-u           25 1

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është lansuar Strategjia qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile 2019-2023.…