Feronikeli dhe Prishtina ua ‘mbyllin’ gojën lojtarëve, Llapi jo

01 maj 2019 | 10:52

Feronikeli dhe Prishtina tashmë ua kanë “mbyllur” gojën futbollistëve që mos të deklarohen për medie, kurse Llapi po e bën të kundërtën e tyre.

Kampionati 2018/2019 është në fazën e fundit dhe përfundon vetëm edhe katër xhiro, kurse dy skuadrat që janë duke luftuar për titull të kampionit, Feronikeli dhe Prishtina, kanë marrë masa edhe ndaj lojtarëve që mos të deklarohen për medie. Në fakt, e para ishte skuadra nga kryeqyteti që kishte bërë një gjë të tillë. Futbollistët “bardhekaltër” thuajse gjatë gjithë kampionatit nuk kanë pasur të drejtë të deklarohen për medie, kurse rrugën e Prishtinës e ka ndjekur edhe Feronikeli. Kjo e fundit, sidomos pas dështimit në ndeshjen ndaj Ballkanit, ka marrë disa masa ku vlen të ceket edhe paralajmërimi i kryetarit të klubit, Naser Rama, se do të ketë dënime pas humbjes së pësuar. “Është shumë marre për ju. Jam i zhgënjyer në ju sa me mend s’mund ta merrni. Ju jeni zhgënjimi im më i madhi deri tash. Do t’i merrni dënimet e merituara”, kishte shkruar Ramaj.

Gazeta të hënën ka kontaktuar dy futbollistë të skuadrës nga Drenasi, por të cilët nuk ishin në gjendje të deklarohen për shkak se kryesia e klubit ua ka kumtuar vendimin që mos të japin deklarata për medie. “Na vjen keq, por është vendim i klubit që mos të deklarohemi për medie”, kanë qenë përgjigjet e shkurtra të futbollistëve të “Niklit”.

Shembullin e Prishtinës dhe Feronikelit nuk e ka ndjekur Llapi, pasi futbollistët e kësaj skuadre kanë të drejtën ta japin mendimin e tyre në lidhje me rrjedhën e kampionatit, synimet individuale apo synimet me klubin. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë për “Epokën e re” se nuk i pengon aspak që futbollistët e tij të deklarohen për medie, madje ai e konsideron se mohimi është shumë i padrejtë ndaj futbollistëve. “Normalisht se iu lejohet sepse futbolli nuk luhet pa deklarata. Mua si trajner aspak nuk më pengon që futbollistët ta japin mendimin e tyre, pasi ata derdhin djersë dhe është e padrejtë që t’u ndalohet një gjë e tillë”, ka thënë Batatina.

Feronikeli, Prishtina dhe Llapi janë në garë të rreptë për titull të kampionit në këtë edicion, kurse dallimi mes skuadrës së Batatinës me dy skuadrat e para është vetëm dy pikë, por titulli mund të vendoset pikërisht në përballjet e drejtpërdrejta që kanë këto skuadra në këto xhiro të mbetura.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Samiti i…