Feronikeli dhe Ramadani ndërpresin bashkëpunimin
Vetëm pak ditë pas eliminimit edhe nga Liga e Evropës, KF Feronikeli ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Zekirija Ramadani.
Lajmin për largimin e trajnerit Ramadani e ka konfirmuar skuadra kampione e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media.
“Kështu është vendosur pas një mbledhje të klubit me presidentin, Naser Ramaj, duke analizuar gjendjen e klubit dhe rezultatet e fundit. Ramadani u shpall Kampion i Kosovës me Feronikelin duke arritur ta rrëmbejë edhe Kupën e Kosovës dhe sipas rregullave të FFK-së, ai ka fituar me automatizëm edhe Superkupën. Si klub e falënderojmë për bashkëpunimin tejet korrekt dhe i dëshirojmë shumë sukses në vazhdimin e karrierës”, thuhet në njoftimin e skuadrës nga Drenasi.
Zekirija Ramadani ishte trajneri i parë historik i Feronikelit që drejtoi skuadrën në garat e UEFA-s.
/Epoka e re/