Feronikeli, gati ta shkruajë historinë në Ligën e Kampionëve
Kualifikimi në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve është synim i skuadrës më të mirë në Kosovë, Feronikelit. Skuadra nga Drenasi ka nxjerrë barazim në ndeshjen e parë që është zhvilluar në Uells (2-2) dhe tash konsiderohet favorit për ndeshjen kthyese, e cila fillon nga ora 20:45 dhe zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
KF Feronikeli është gati ta mposhtë The New Saintsin në ndeshjen kthyese në Ligën e Kampionëve dhe ta shkruajë historinë sonte (e martë) në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja kthyese e rrethit të parë fillon në orën 20:45.
Lojtari më i mirë i “Niklit” në ndeshjen e parë në Uellsit, Astrit Fazliu, ka thënë për “Epokën e re” se të gjithë futbollistët e Feronikelit do ta japin maksimumin për t’u kualifikuar në rrethin e dytë dhe në këtë mënyrë ta shkruajë historinë si skuadra e Kosovës që ka arritur më së larti në garën e Ligës së Kampionëve. “Ne do ta japim maksimumin që ta kalojmë skuadrën e TNS-së, pasi këtu nuk po luajmë vetëm për klubin tonë, por për futbollin e Kosovës në përgjithësi. Kemi pasur paraqitje të mirë, sidomos në fund të ndeshjes. Shpresoj se edhe në të martën të luajmë ashtu dhe të kualifikohemi”, ka thënë Fazliu. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme, prandaj presim të kemi përkrahje të madhe dhe ndeshjen ta rikthejmë në spektakël sportiv, pasi kualifikimi ynë në rrethin e dytë është historik për Feronikelin dhe Kosovën”, ka shtuar sulmuesi i Ferizajt, Prishtinës dhe Dritës.
Optimist për kualifikimin në rrethin tjetër është edhe futbollisti i TNS-së, Paul Harrison. “Ne do të luajmë me moralin lart, edhe pse kemi pësuar dy gola. Ne duhet të shkojmë me besim dhe ta japim më të mirën tonë”, ka thënë Paul Harrison për “BBC”. Duke parë rëndësinë e madhe të ndeshjes, kryetari i skuadrës nga Drenasi, Naser Ramaj, ka vendosur t’i dhurojë 3 000 bileta falas për të gjithë ata që duan të jenë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Këto bileta shpërndahen sot (e martë) nga ora 09:00 – 12:00 në pikat shitëse të lartcekura dhe do të jepet vetëm një biletë për person. Kjo nuk është e tëra pasi kryetari Ramaj ka vendosur që të gjithë edhe të gjithë invalidët e luftës duke i mundësuar hyrjen në stadium pa pagesë. Ndeshjen në mes të kampiones së Kosovës, Feronikelit dhe skuadrës nga Uellsi, The New Saints, e ka komentuar edhe analisti i futbollit në Kosovë, Genc Sermaxhaj.
Ai ka thënë se duke e pasur parasysh rezultatin e ndeshjes së parë 2-2, “Nikli” është favorit për t’u kualifikuar në rrethin tjetër të garës më të madhe në futboll. “Rezultati i ndeshjes së kaluar është përparësi për skuadrën tonë dhe na konvenojnë edhe dy rezultate të barabarta (0-0, 1-1), por duke e pasur parasysh se jemi mirë në aspektin psikik, pres të kalojmë pozitivisht. Besoj se Feronikeli e kalon këtë raund dhe do të bëhet ekipi i parë nga Kosova që ka kaluar më së shumti raunde në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve”, ka deklaruar Sermaxhaj.
/Veton ZYMBERI/