Feronikeli, gati ta zbresë nga froni Flamurtarin

21 shtator 2018 | 19:24

Mesfushori Albutrint Morina është optimist se skuadra e Feronikelit do të arrijë fitore ndaj Flamurtarit të shtunën në kryeqytet.  “Sa i përket Flamurtarit mendoj se do jetë një ndeshje shumë e vështirë për faktin se kjo skuadër po kalon nëpër një formë të mirë, por besoj se kemi potencial për ta marrë rezultatin që dëshirojmë dhe ta rrëzojmë Flamurtarin nga pozita e parë”, ka thënë Morina për “Epokën e re”.

Skuadra e Feronikelit ka synim të madh në fundjavë. Ajo dëshiron ta zbresë nga pozita e parë skuadrën e Flamurtarit, e cila është befasia e këtij edicioni në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Kuqezinjtë e kryeqytetit kanë grumbulluar 13 pikë nga pesë ndeshjet e zhvilluara dhe janë në pozitën e parë, kurse “Nikli” zë vendin e dytë me dy pikë më pak.

Mesfushori i skuadrës nga Drenasi, Albutrint Morina, të enjten ka thënë se Feronikeli ka potencial për ta mposhtur skuadrën nga kryeqyteti dhe ta zbresë atë edhe nga pozita e liderit të Superligës. “Sa i përket Flamurtarit mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për faktin se kjo skuadër po kalon nëpër një formë të mirë, por besoj se kemi potencial për ta marrë rezultatin që dëshirojmë dhe ta rrëzojmë Flamurtarin nga pozita e parë”, ka thënë Morina për “Epokën e re”.

Skuadra e Feronikelit nuk e nisi mirë kampionatin, por me kalimin e ndeshjeve kjo skuadër është këndellur dhe në opinion shihet si favorite në garën për titull, por një nga favoritet është edhe në garën e Kupës. Madje në këtë klub ka pasur edhe ndryshim në shtabin teknik ku u shkarkua strategu nga Shqipëria, Sulejman Starova, e në vend të tij është emëruar Zekrija Ramadani. Mesfushori Morina është i kënaqur me pikët dhe rezultatet e arritur në pesë xhirot e para të këtij edicioni futbollistik. “Duke i ditur objektivat tona për kampion, mendoj se jemi të kënaqur me pikët që i kemi, edhe pse me pak fat kemi mundur të kemi edhe më shumë pikë të grumbulluara. Tash na mbetet që në çdo ndeshje të jemi të fokusuar dhe ta japim maksimumin për të mos lëshuar gabime sikurse në fillim të kampionatit”, ka deklaruar ai.

Skuadra e Feronikelit, prej pesë ndeshjeve të luajtura, ka regjistruar tri fitore dhe dy barazime, me një golaverazh prej tetë golave të shënuara dhe vetëm një të pranuar.

(Veton ZYMBERI)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pothuajse 175,000 persona kanë aplikuar që të jenë vullnetarë të…