Feronikeli i dyti, Hoxha: Sezon pozitiv

04 dhjetor 2018 | 18:07

Pavarësisht se Feronikeli përfundoi i dyti në sezonin vjeshtor, futbollisti Yll Hoxha e ka vlerësuar pozitivisht skuadrën nga Drenasi. “Stinorin vjeshtor e shoh pozitiv për skuadrën tonë. Normalisht se kampionati ka edhe të papritura por, duke marrë parasysh të gjitha aspektet, mund të them se kemi qenë të mirë në këtë sezon”, ka thënë Hoxha.

Fotografia e Yll Hoxha

KF Feronikeli në afatin kalimtar të verës bëri një organizim të jashtëzakonshëm, duke bërë edhe transferime të mëdha, kurse me kalimin e xhirove ndryshoi edhe trajnerin. Në vend të Sulejman Starovës e rikthej Zekirija Ramadanin, por sezonin vjeshtor kjo skuadër e mbylli në vend të dytë me një pikë më pak se Prishtina.

Fotografia e Yll Hoxha

Futbollisti Yll Hoxha, një ditë pasi është mbyllur sezoni vjeshtor, ka thënë për “Epokën e re” se rezultatet e skuadrës nga Drenasi kanë qenë pozitive. Ai nuk beson se humbja nga Prishtina ka qenë vendimtare që Feronikeli mos të shpallet kampion vjeshtor. “Stinorin vjeshtor e shoh pozitiv për skuadrën tonë. Normalisht se kampionati ka edhe të papritura, por duke marrë parasysh të gjitha aspektet, mund të them se kemi qenë të mirë në këtë sezon. Nuk besoj se ka qenë vendimtare humbja nga Prishtina, sepse aty kanë qenë në pyetje vetëm tri pikë si në gjithë ndeshjet e tjera”, ka thënë Hoxha.

Pesë pikë është diferenca në mes tri skuadrave të para: Prishtinës (40 pikë), Feronikelit (39) dhe Llapit (35). Yll Hoxha ka thënë se vetëm tri skuadrat e para që janë pas sezonit vjeshtor do të luftojnë për titull deri në fund të kampionatit, duke e përjashtuar nga gara edhe kampionen aktuale, Dritën. “Mendoj se tri skuadrat e para që prijnë në tabelën e Superligës do të jenë në garë për titull deri në fund të kampionatit”, ka shtuar ai.

Fotografia e Yll Hoxha

Futbollisti që dikur ka luajtur edhe për Hysin dhe Prishtinën, Yll Hoxha, në të kaluarën ishte pjesë e futbollit shqiptar. Ka luajtur për Kukësin, Flamurtarin e Vlorës dhe Vllazninë e Shkodrës. Por, do të djersijë fanellën e “Niklit” të paktën edhe për gjashtë muaj. “Jam pjesë e Feronikelit që dy vjet, kurse kam kontratë deri në fund të këtij kampionati. Shpresoj ta jap më të mirën nga vetja që klubi t’i arrijë synimet që ka në këtë edicion”, ka përfunduar Hoxha.

Feronikeli në shtatëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluar arriti të regjistrojë 12 fitore, tri barazime dhe dy humbje. Ndërsa ka shënuar 29 gola dhe ka pranuar vetëm 9 gola.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka…