Feronikeli kërkon kualifikimin në gjysmëfinale
Feronikeli synon që të jetë skuadra e katërt që siguron gjysmëfinalen e Kupës, kurse synimet e kësaj skuadre janë ta mbrojë këtë trofe dhe të marrë pjesë në garat ndërkombëtare. Në anën tjetër, skuadra e Lirisë, që synim primar e ka rikthimin në Superligë, ka paralajmëruar se në këtë ndeshje nuk do të dorëzohet dhe do të kërkojë të shkaktojë befasi.
Skuadra e Feronikelit u është rikthyer stërvitjeve në fushën sintetike në Drenas të mërkurën, pas fazës përgatitore që e kaloi në Antalya të Turqisë. Kjo ishte përgatitja e fundit për ndeshjen çerekfinale të DigitAlb Kupës së Kosovës në futboll, të cilën fituesi në fuqi i Kupës, Feronikeli, e zhvillon në Prizren ndaj Lirisë.
Futbollisti Albert Dabiqaj ka thënë të martën për “Epokën e re” se Liria ka një skuadër të mirë, por në gjysmëfinale do të kualifikohet skuadra nga Drenasi për faktin se e ka rrugën më të lehtë për të dalë në garat evropiane. “Synimi ynë është të zhvillojmë një lojë të mirë dhe të kualifikohem në gjysmëfinale, pasi kjo është rruga më e shkurtër për klubin tonë që të marrë pjesë në garat evropiane. Liria është një kundërshtare e fortë dhe ka një ekip të mirë, ani pse bënë gara në Ligën e Parë. Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe e mira është se të gjithë lojtarët janë të gatshëm, prandaj do ta japim maksimumin për kualifikim”, ka thënë Dabiqaj, i cili ka qenë i grumbulluar me Përfaqësuesen e Kosovës në ndeshjen miqësore kundër Suedisë.
Në anën tjetër, për ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Përparim Thaçi” nga ora 12:30 foli edhe trajneri Skënder Shengyli. Ky i fundit ka paralajmëruar se Liria do të luftojë edhe në këtë ndeshje me të gjitha forcat, ani pse synim kryesor e ka rikthimin në IPKO Superligë. “Pres një ndeshje të fortë. Do të jetë ballafaqim interesant ngaqë luajmë me kampionin në fuqi dhe fituesin e Kupës. Ne do të luftojmë si në çdo ndeshje, megjithëse synim mbetet lufta jonë në rrugën drejt kthimit në Superligë”, ka thënë Shengyli.
Në gjysmëfinale të Kupës janë kualifikuar Ballkani, Drenica dhe Prishtina. Skuadra e Ismet Munishit, Ballkani, e mposhti Dukagjinin (0-2), kurse Drenica befasoi Gjilanin duke e mposhtur me rezultat 2-1. Prishtina e kishte më të lehtë përballjen me Vushtrrinë, prandaj shënoi fitore 4-1 në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”. Fituesja e Kupës merr pjesë në Ligën e Evropës.
/Veton ZYMBERI/