Feronikeli kërkon maksimumin ndaj Ballkanit

01 shtator 2018 | 09:46

Feronikeli po kërkon me çdo kusht fitoren në ndeshjen ndaj Ballkanit nga Suhareka. Kastriot Rexha ka thënë për “Epokën e re” se është momenti i fundit që “Nikli” t’i arkëtojë pikët e plota, kurse Besnik Krasniqi nga skuadra e Ballkanit është optimist se nga Drenasi skuadra e tij do të rikthehet e pamposhtur.

KF Feronikeli kërkon maksimumin e pikëve në ndeshjen e tretë të këtij edicioni ndaj Ballkanit, e cila zhvillohet sot në Drenas. Kastriot Rexha ka thënë se skuadra e “Niklit” është përgatitur maksimalisht për ta shënuar fitoren e parë në këtë edicion garash në elitën e futbollit të Kosovës.

“Të them drejtën kemi një panik të vogël në klub pas dy barazimeve në ndeshjet e para, por edhe fati nuk ishte në anën tonë. Ne jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe kërkojmë dhe synimi i vetëm janë tri pikët, çdo rezultat tjetër, përveç fitores, është dëshpërim për Feronikelin”, ka thënë Rexha, i cili ende nuk e ka shijuar golin me fanellën e skuadrës së Feronikelit.

“Si çdo sulmues, edhe unë e kam për detyre të shënoj, por në dy ndeshjet e para nuk arrita të bëj një gjë të tillë. Kam besim se në ndeshjen ndaj Ballkanit do të shënoj dhe do t’i regjistrojmë fitoret radhazi”, ka deklaruar Rexha.

Ky i fundit ishte sulmuesi kryesor i Dritës në edicionin e kaluar, kur kjo skuadër arriti ta fitojë titullin e kampiones. Rezultat të favorshëm kërkon edhe skuadra e Ballkanit, ani pse Besnik Krasniqi e pranon se favorit absolut në këtë përballje është skuadra e Feronikelit.

“Synimi ynë është që në këtë ndeshje të luajmë lojë sa më të mirë dhe të përpiqemi të marrim rezultat sa më të favorshëm. Feronikeli ka skuadër të fortë me futbollistë cilësorë dhe në këtë ndeshje është favorit, por duke parë formën jo të mirë të tij, do të përpiqemi të nxjerrim barazim, pse jo edhe fitore”, ka thënë Krasniqi.

Të dyja skuadrat, Feronikeli dhe Ballkani, nuk kanë asnjë mungesë për ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. Mbrojtësi Krasniqi në të kaluarën ka luajtur me plot sukses për skuadrën e Feronikelit, kurse tash është një nga pikat më të forta në skuadrën e Ballkanit. Sot (e shtunë) zhvillohet edhe ndeshja tjetër në mes të Llapit dhe Ferizajt.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht prej takimeve të shpeshta në ditët e fundit, liderët…