Feronikeli kërkon maksimumin ndaj Drenicës

25 qershor 2020 | 11:46

Feronikeli kërkon fitore në përballje me skuadrën e Drenicës. Albert Dabiqaj beson në suksesin e radhës nga skuadra e drejtuar nga Afrim Tovërlani.

Skuadra e Feronikelit sot (e enjte) do të përballet me Drenicën në kuadër të javës së 26-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Përballja e dy klubeve nga regjioni i Drenicës do të zhvillohet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas dhe pritet të jetë shumë interesante.

Mesfushori Albert Dabiqaj ka thënë për “Epokën e re” se “Nikli” nuk ka asnjë mungesë për këtë ndeshje të rëndësishme dhe se synon t’i marrë tri pikët e plota. “Mendoj se është një ndeshje mjaft e vështirë. Drenica vjen pas një humbjeje. Ne do të hyjmë në këtë ndeshje për trepikëshin e radhës në mënyrë që të mbajmë hapin me skuadrat e tjera. Fatmirësisht, nuk kemi mungesa për këtë ndeshje dhe besojmë në fitoren e radhës”, ka thënë Dabiqaj.

Aktualisht skuadra e drejtuar nga Afrim Tovërlani renditet në pozitën e pestë me 43 pikë, kurse Drenica është e shtata me 34 pikë. Për këtë ndeshje ka folur edhe sulmuesi Alban Shillova i Drenicës. Ai ka thënë se skuadra kuq e zi synon rezultat pozitiv nga kjo ndeshje. “Do të jetë një ndeshje e vështirë duke e parë formën e Feronikelit. Ne kemi pasur formë të mirë dhe shkojmë për rezultat pozitiv dhe, nëse na jepet mundësia, do të luftojmë edhe për fitore”, ka thënë Shillova.

Sot (e enjte) zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera mjaft interesante. Në stadiumin “Zahir Pajaziti”, Llapi i Tahir Batatinës e pret Prishtinën me synim që ta marrë maksimumin, por edhe kryeqytetasit udhëtojnë për fitore për faktin se duan të mbesin në hap me skuadrat e tjera që po luftojnë për titull në elitë. Tri pikë sot i kërkon edhe Ballkani që luan si mysafir i Ferizajt. Të tri këto ndeshje të Superligës janë paraparë të fillojnë nga ora 16:45.

(Veton ZYMBERI)  

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kida pritet që të rikthehet me një këngë të re…