Feronikeli kërkon rezultat pozitiv në Sllovaki

24 korrik 2019 | 11:06

Kampionët e Kosovës sot përballen me Slovan Bratislavën në Ligën e Evropës. Feronikeli, pas dështimit befasues në Ligën e Kampionëve, tash po kërkon një rezultat të favorshëm nga ndeshja e parë në mënyrë që kualifikimi të sigurohet në ndeshjen kthyese, e cila zhvillohet më 30 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kampioni i Kosovës në futboll, Feronikeli, aventurën ndërkombëtare do ta vazhdojë në Ligën e Evropës. “Nikli” sot (e mërkurë) nga ora 18:00 përballet me skuadrën e Slovan Bratislavës në “Tehelne Pole”. Përballja në mes të skuadrës sllovake dhe asaj nga Drenasi është në kuadër të rrethit të dytë të Ligën e Evropës.

Sulmuesi Kastriot Rexha është optimist se “Nikli” do të paraqitet më mirë në këtë garë dhe rezultatet të jenë më pozitive se në Ligën e Kampionëve. “Në Ligën e Evropës do të bëjmë lojëra të mira sikurse në Ligën e Kampionëve, por besoj se do të marrim edhe rezultate më të mira”, ka thënë Rexha për gazetë.

Sulmuesi prishtinas e vlerëson si të fortë skuadrën sllovake, por beson se rezultati pozitiv është i arritshëm. Feronikeli u eliminua nga Liga e Kampionëve, pasi humbi ndeshjen kthyese në Prishtinë nga The NeW Saints (0-1), derisa ndeshja e parë në Uells kishte përfunduar me rezultat 2-2.

Për ndeshjen e sotme ka folur edhe sulmuesi Mevlan Zeka, i cili beson se skuadra e Feronikelit mund të marrë rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. “E dimë se Slovani është skuadër me cilësi të larta, por në futboll asgjë nuk është e pamundur. Ne nuk dorëzohemi dhe do të mundohemi të japim më të mirën nga vetja secili prej nesh dhe në fund të shohim”, ka thënë Zeka, i cili në ndeshjen ndaj TNS-së ishte titullar në formacionin e kampionëve të Kosovës.

Ndeshja kthyese zhvillohet më 30 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kjo ndeshje pritet të përcillet me tensione, pasi mediet serbe kanë raportuar se Komiteti Serb i Futbollit u ka kërkuar dy futbollistëve serb Aleksandar Qavriq dhe Dejan Drazhiq ta bojkotojnë duelin ndaj Feronikelit. Të njëjtën gjë serbët kishin kërkuar edhe në ndeshjen në mes të Malit të Zi dhe Kosovës në kuadër të kualifikuesve për Kampionatin Evropian. Ky presion ndikoi që dy lojtarët serb dhe trajneri ta bojkotojnë atë ndeshje. Pjesë e Ligës së Evropës në këtë edicion ishte edhe skuadra e Prishtinës, e cila u eliminua pas humbjes në ndeshjen e kthimit ndaj St Joseph’s (2-0).

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Atletja Diellza Selaci mbylli garimin e saj në Festivalin Olimpik…