Feronikeli kërkon rezultat pozitiv në Uells

09 korrik 2019 | 10:54

Feronikeli po synon të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë në Uells ndaj The New Saintsit në mënyrë që ta ketë më të lehtë kualifikimin në ndeshjen kthyese që zhvillohet në Kosovë. Trajneri Zekirija Ramadani dhe mesfushori Albert Dabiqaj kanë shfaqur optimizëm një ditë para kësaj ndeshje që zhvillohet sonte (e martë) nga ora 20:00.

Kampioni i Kosovës në Futboll, Feronikeli, arriti një sukses historik në Ligën e Kampionëve, pasi u kualifikua në rrethin e parë eliminator të kësaj gare. Skuadra më e mirë në Kosovë për edicionin 2018/2019 ka synime të mëdha edhe në rrethin e parë, pasi synon ta eliminojë The New Saintsin.

Trajneri i kampionëve të Kosovës, Zekirija Ramadani, për faqen zyrtare të klubit ka thënë se skuadra do ta japë maksimumin për një rezultat pozitiv në Uells, në mënyrë që të jetë më e lehtë për ndeshjen e kthimit që zhvillohet në Kosovë. “Duam ta japim maksimumin për një rezultat pozitiv, pasi do të ishte shumë më mirë për ndeshjen e kthimit. Fusha ku do të zhvillohet ndeshja është me bari artificial, por shpresoj se nuk do të jetë problem, pasi edhe gjatë javës në Kosovë kemi stërvitur në fushë artificiale”, ka deklaruar Ramadani.

Për ndeshjen që zhvillohet sonte (e martë) në Uells foli edhe mesfushori Albert Dabiqaj, i cili është një nga lojtarët më të mirë të klubit nga Drenasi. “Në skuadrën tonë atmosfera si gjithmonë është shumë e mirë. Tash e kemi një kundërshtar të fortë, të cilin e kemi analizuar dhe mund të them se qëndron shumë mirë fizikisht, por ne jemi të përgatitur dhe synojmë ta kalojmë rrethin e parë”, ka thënë Dabiqaj për “Epokën e re”.

Ndeshja në mes të The New Saints dhe Feronikelit fillon nga ora 20:00. Feronikeli tash është skuadra e vetme që është në garë në Evropë, pasi Prishtina nuk arriti ta kalojë rrethin parakualifikues, duke u mposhtur nga klubi i Gjibraltarit, St Josephs, me rezultatin e përgjithshëm 1-3. Ndeshjen në mes të The New Saintsit dhe Feronikelit e ka analizuar edhe trajneri Muahrrem Sahiti, i cili është ndihmëstrajner në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Sahiti ka thënë se shanset për kualifikim në rrethin tjetër janë të barabarta për dy skuadrat. Kundërshtare e radhës e skuadrës nga Drenasi është TNS-ja. Lidhur me shanset e Feronikelit ndaj këtij kundërshtari, Sahiti ka vlerësuar se janë të barabarta. “Tash Feronikeli do të ballafaqohet me një kundërshtar të nivelit më të lartë dhe me përvojë më të madhe, por kam besim se skuadra jonë do të jetë më e përqendruar dhe më e motivuar. Sa i përket kualifikimit, nuk mund të jap prognozë sepse do të jetë shumë vështirë. Do të isha shumë i kënaqur nëse ‘Nikli’ tregon paraqitje të mirë për faktin se do të ishte një reklamë e mirë për futbollin e Kosovës. Gjasat për kualifikim janë 50 me 50”, ka shtuar Sahiti.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një intervistë për gazetën…