Feronikeli mbetet ‘jashtë’ garës për titull, liron shtatë futbollistë

10 dhjetor 2019 | 12:55

Futbollistët Kastriot Rexha, Astrit Fazliu, Albutrint Morina, Lulëzim Doshlaku, Haxhi Neziraj, Arbër Prekazi dhe Milosh Krkotiq janë liruar nga Feronikeli pasi ky klub ka mbetur shtatë pikë prapa skuadrës lidere, Ballkanit. Në njoftimin e klubit bëhet me dije se kontratat nuk janë shkëputur, por futbollistëve në fjalë u është rekomanduar të gjejnë klube të reja sepse “Nikli” planifikon t’u japë rast lojtarëve të rinj.

Kampioni në fuqi i Kosovës në futboll, Feronikeli, pas ka mbetur larg garës për ta mbrojtur titullin e kampionit në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, ka marrë vendim që të lirojë shtatë futbollistë që e kanë bartur barrën kryesore edicionin e kaluar në rrugëtimin drejt titullit kampion, triumfin në garën e Kupës dhe prezantimin në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. Ajo që bie në sy është se në mesin e futbollistëve që “Nikli” i ka lënë të lirë është edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit të kaluar, Kastriot Rexha.

Mirëpo edhe emrat e tjerë janë me peshë të madhe në futbollin e Kosovës: Astrit Fazliu, Albutrint Morina, Lulëzim Doshlaku, Haxhi Neziraj, Arbër Prekazi dhe Milosh Krkotiq. Lajmin për largimin e këtyre futbollistëve të dëshmuar nga skuadra kampione e ka konfirmuar për Epokën e re”, zëdhënësi i klubit nga Drenasi, Erlind Krasniqi. “Shtabi teknik, në krye me Agim Sopin, nuk llogarisin më në këta lojtarë. I kemi sjellë disa futbollistë të rinj dhe konkurrenca është shtuar shumë. Klubi i ka njoftuar lojtarët në fjalë se janë të lirë për të gjetur skuadra të reja në afatin kalimtar të janarit. Askush nuk mund ta mohojë kontributin e madh të këtyre futbollistëve që janë meritorë për sukseset e Feronikelit edicion e kaluar”, ka thënë Krasniqi.

Gazeta të hënën ka kontaktuar edhe disa nga lojtarët e lartcekur, por ata nuk kanë pranuar të flasin publikisht për çështjen e largimit të tyre, duke konfirmuar se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim zyrtar. Mirëpo të njëjtët nuk e kanë përjashtuar mundësinë që drejtuesit e klubit të kenë marrë këtë vendim me arsyen që t’i ulin shpenzimet kur tash klubi është “jashtë” garës për titull të kampionit. “Nuk kemi asgjë zyrtare, por mund  të ndodhë një gjë e tillë. Feronikeli është paksa larg garës për titull dhe drejtuesit e klubit mund të mendojnë edhe për buxhet”, kanë thënë disa nga futbollistët e “Niklit”.

Ndërsa Klubi i Feronikelit ka njoftuar se kontratat me futbollistët e lartpërmendur nuk janë shkëputur, por u është rekomanduar të gjejnë klube të reja. “Futbollistët që në aspektin sportiv nuk llogaritet më në ta kanë mundësi të stërvitin me FC Feronikelin dhe se kontratat e tyre nuk janë shkëputur. Sidoqoftë, janë këshilluar të kërkojnë ekipe të reja për të siguruar minutazhë në fushë”, thuhet në njoftimin e “Niklit”.

Skuadra u mundua të bëjë disa ndryshime, përfshirë edhe shtabin teknik, ku fillimisht trajnerin Zekrija Ramadani e zëvendësoi me Dejan Vukiqeviq, por as trajneri malazez nuk i bëri punë dhe në vend të tij skuadrën e mori Agim Sopi. Në shtatëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara në sezonin vjeshtor në Superligë, Feronikeli përfundoi në vendin e pestë me 27 pikë, ku regjistroi tetë fitore, tri barazime dhe gjashtë humbje. Ndërsa ky klub e arriti kualifikimin në çerekfinale të Kupës, pasi e mposhti me rezultat 5-0 skuadrën e “A&N”.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është…