Feronikeli mëson kundërshtarin e radhës në Ligën e Kampionëve
Nëse Feronikeli arrin të fitojë në rundin paraeliminator të Ligës së Kampionëve, që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, klubi drenicas do të përballet me klubin nga Uellsi “The New Saints” në kuadër të Grupit 3 të rundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve.
Feronikeli do të përballet fillimisht me klubin nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, në gjysmëfinale të fazës paraeliminatore. Në finale, Feronikeli mund të ndeshet me fituesin e gjysmëfinales tjetër, mes Tre Pennes dhe Santa Colomas, raporton “Gazeta Express”.
Ndeshjet e para gjysmëfinale do të zhvillohen më 25 qershor, ndërsa ndeshja finale, e cila siguron edhe një vend në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, zhvillohet vetëm tri ditë më vonë, më 28 qershor. Të gjitha këto ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Nëse arrin ta fitojë edhe finalen, atëherë Feronikeli do të garojë në kuadër të rrethit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, ku do të përballet me klubin uellsian, The New Saints. Ndërsa, edhe nëse e humb finalen, rrugëtimi i tyre në Evropë nuk do të mbyllet me kaq pasi që klubi drenicas do ta ketë mundësinë të luajë në Ligën e Evropës, në rundin e dytë.