Feronikeli mëson kundërshtarin në Ligën e Kampionëve
Kampionia dhe fituesja e Kupës së Kosovës në futboll, Feronikeli e ka mësuar kundërshtarin e parë të paraeliminatoreve në Ligën e Kampionëve.
Skuadra nga Drenasi në gjysmëfinale do të ketë përballë kampionen e Gjibraltarit, Lincoln Red Imps, ndërkohë që në rast triumfi në finale e raundit paraeliminator do të sfidojë fituesin e çiftit Tre Penne të San Marinos ndaj Santa Coloma të Andorrës.
Rivali i Feronikelit nuk është krejtësisht i panjohur për skuadrat kosovare pasi një vit më parë Drita e mposhti brenda në Gjibraltar me rezultatin e thellë 4-1 pikërisht Lincoln Red Imps në finalen e raundit paraeliminator duke siguruar pikërisht kalimin në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen në datën 25 qershor ndërsa finalja në 28 qershor. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me Feronikelin që këtë vit do të ketë avantazhin e fushës ndaj rivalëve.