Feronikeli paralajmëron Llapin se pikët mbesin në Drenas

02 tetor 2019 | 11:05

Sulmuesi kryesor i Feronikelit, Kastriot Rexha, e ka paralajmëruar skuadrën e Llapit se pikët e plota do të mbesin në Drenas. Ky derbi do të jetë jashtëzakonisht interesant për shikuesit, kurse ne do ta kemi përkrahjen nga ‘Tigrat e zi’ dhe me lojë të mirë do t’ia arrijmë qëllimin edhe në këtë ndeshje”, ka thënë Rexha. Ndeshja e javës së tetë në mes të Feronikelit dhe Llapit zhvillohet nga ora 14:30.

Golashënuesi më i mirë i kampionatit të kaluar në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, Kastriot Rexha, shënoi dy gola në ndeshjen e fundjavës që Feronikeli e fitoi ndaj Ferizajt (5-0). Sulmuesi shtatlartë të martën për “Epokën e re” ka thënë se “Nikli” është gati ta arrijë fitoren e katërt radhazi në këtë edicion garash. Rexha e lavdëroi skuadrën e Llapit, por e paralajmëroi se tri pikët do të mbesin në Drenas. “Përballja me Llapin është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pasi kemi synim ta mbajmë pozitën e parë edhe pas xhiros së tetë. Nuk duhet mohuar fakti se Llapi ka një skuadër shumë të mirë dhe me përvojë, por ne jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe synojmë fitore. Ky derbi do të jetë jashtëzakonisht interesant për shikuesit, kurse ne do ta kemi përkrahjen nga ‘Tigrat e zi’ dhe me lojë të mirë do t’ia arrijmë qëllimit edhe në këtë ndeshje”, ka thënë Rexha.

Edhe Llapi është duke kaluar nëpër një formë të mirë, pasi në dy ndeshjet e fundit ka marrë gjashtë pikë dhe ka shënuar shtatë gola dhe ka pranuar vetëm dy. Mesfushori Mentor Zhdrella ka thënë për gazetë se ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas do të jetë e vështirë për të dy klubet, kurse synim i “Niklit” është rezultati pozitiv. “Skuadra e Feronikelit është shumë cilësore dhe meriton respekt nga të gjithë, por ne do të shkojmë në Drenas për rezultat pozitiv. Do të jetë vështirë për ta marrë maksimumin, por jo edhe e pamundur se Feronikeli nuk është skuadër e pathyeshme”, ka deklaruar Zhdrella.

Feronikeli pozicionohet në vendin e parë me 15 pikë, kurse Llapi është në pozitën e tretë me një pikë më pak. Sot zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Në Klinë takohen Dukagjini – Trepça ’89 e në ndeshjen tjetër përballen Ferizaj dhe Ballkani. Dy ndeshje të tjera zhvillohen të enjten, kurse përballja në mes të Prishtinës dhe Drenicës është shtyrë për 16 tetor.

IPKO SUPERLIGA

 

Të mërkurën takohen:

14:30 Feronikeli – Llapi

14:30 Dukagjini – Trepça ’89

14:30 Ferizaj – Ballkani

 

Të enjten takohen:

14:30 Drita – Vushtrria

14:30 Flamurtari – Gjilani

Prishtina – Drenica, takohen më 16 tetor

 

Tabela

 

  1. Feronikeli 7 15 pikë
  2. Drita 7 14
  3. Llapi 7 14
  4. Ballkani 7 14
  5. Prishtina 7 13
  6. Gjilan 7 12
  7. Trepça ’89 7 9
  8. Drenica 7 8
  9. Flamurtari 7 7
  10. Ferizaj 7 6
  11. Vushtrria 7 5
  12. Dukagjini 7 1

 

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shënimi i 70 vjetorit të sundimit të Partisë Komuniste në…