Feronikeli – Prishtina, ‘beteja’ për vendin e parë
Dy skuadrat më të mira në këtë edicion të elitës së futbollit, Feronikeli dhe Prishtina, përballen sot në Drenas nga ora 13:30. Synim i vendësve, sipas sulmuesit Astrit Fazliu, është fitorja, kurse kapiteni i mysafirëve, Armend Dallku, ka bërë me dije se këtë ndeshje do të luajnë ashtu siç i ka hije Prishtinës.
Derbi i mbetur i xhiros së dhjetë në IPKO Superligën e Kosovës në mes të Feronikelit dhe Prishtinës do të zhvillohet sot (e mërkurë). Kjo ndeshje pritet të jetë më shumë se një derbi, pasi skuadrat në fjalë do të “luftojnë” edhe për pozitën e parë në renditjen e klasifikimit.
Aktualisht “Nikli” ka dy pikë më shumë, por një fitore e Prishtinës do ta zbriste ata nga froni. Sulmuesi Astrit Fazliu ka thënë për “Epokën e re” se Feronikeli do të triumfojë në ndeshjen kryesore të sezonit ndaj Prishtinës. “Kjo ndeshje nuk është vendimtare për titull, por ka rëndësi të madhe për dy klubet, për faktin se secili prej tyre synon ta marrë maksimumin për të qenë sa më mirë me pikë në tabelën e klasifikimit, prandaj edhe interesimi i shikuesve besoj se do të jetë i madh. Pres përkrahje edhe më të madhe nga tifozët tanë në këtë ndeshje dhe në fund do t’i gëzohemi fitores”, ka thënë Fazliu.
Ndërsa mbrojtësi dhe kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku, e vlerëson ndeshjen e radhës shumë të rëndësishme për të dyja skuadrat, por ai ka thënë se “bardhekaltrit” nuk e synojnë me çdo kusht fitoren, por se do të paraqiten ashtu siç i ka hije Prishtinës. “Për ne është ndeshje e radhës. Normalisht motivi nuk mungon, sepse është ndeshje e madhe dhe nuk ka nevojë për shumë motivim nga trajnerët apo nga anash. Presim rezultat pozitiv, natyrisht duke u bazuar në ndeshjet e fundit, ku kemi pasur seri pozitive dhe na gëzon fakti, megjithëse po flitet shumë që ne nuk po shënojmë, hiç ndeshjen me Drenicën, në ndeshjet e tjera kemi shënuar nga 2 apo 3 gola, duke bërë fazë shumë të mirë ofensive dhe në momentet e duhura po vijmë te shanset për gol. Kjo ndeshje nuk do të jetë përjashtim dhe ne kemi qëllim të vetëm fitoren, të luajmë futboll e t’i tregojmë cilësitë tona dhe që tërë Kosovës që po e pret këtë ndeshje, t’i paraqitemi ashtu siç i ka hije Prishtinës që lufton për vend të parë”, ka thënë Dallku për faqen zyrtare të klubit kryeqytetas.
Feronikeli pozicionohet në pozitën e parë me 32 pikë të grumbulluara, duke regjistruar dhjetë fitore, dy barazime dhe një humbje. Ndërsa skuadra “bardhekaltër” është e dyta me dy pikë më pak, kurse ka regjistruar nëntë fitore, tri barazime dhe një humbje.
Sot takohen:
13:30 Feronikeli – Prishtina
13:30 KEK-u – Ferizaj
/Veton ZYMBERI/