Feronikeli shënon 46 vjetorin e themelimit të klubit
Gjithçka filloi më 8 prill, plot 46 vite më parë, saktësisht në vitin 1974, kur në Komunën e Gllogocit, u mbajt asambleja për krijimin e klubit futbollistik “Nikli”. Më pas u zgjodh edhe kryesia e klubit me gjithsej këta njëmbëdhjetë anëtarë: Tahir Ajazi si kryetar i klubit, Murtez Zogu nënkryetar, Jusuf Dobra sekretar, Habib Kukiqi arkëtar, ndërsa anëtarë të bordit ishin: Fetah Elshani, Ismail Bajraktari, Mehdi Bardhi, Nazif Sejda, Remzi Heta dhe Sylejman Kastrati. Në këtë asamble, drejtor teknik u zgjodh Mehdi Bardhi ndërsa trajner i ekipit, Hashim Mala.
Deri në kohën e luftës, mundësitë për të luajtur futboll ishin të pakta, futbollistët zhvillonin lojë në kushte të jashtëzakonshme, në fusha të improvizuara dhe nën breshërinë e plumbave duke rrezikuar edhe jetën e tyre për fanellën e Niklit. E disa prej tyre edhe nuk i kemi në mesin tonë, përfshirë edhe kapitenin, Rexhep Rexhepi, që me krenari sot stadiumi mban emrin e tij.
Gjatë pasluftës kushtet u përmirësuan dukshëm, nga viti në vit, por suksesi i parë erdhi në sezonin 2011/12, duke u shpallur kampion në Ligën e parë të Kosovës dhe që nga ai vit sukseset nuk kanë pasur të ndalur për klubin që tashmë ka emrin Feronikeli.
Në vitin 2012, Feronikeli debuton në Superligën e Kosovës, duke u shpallur tri herë kampion i Kosovës nga ai vit.
Trofeu i parë erdhi në sezonin 2013-14, duke fituar Kupën e Kosovës.
Në sezonet 2014-15 , 2015-16, Feronikeli u shpall Kampion i Kosovës, duke arritur që në sezonin 2014-15 ta marrë “tripletën”, kampionatin, Kupën e Kosovës dhe Superkupën e Kosovës.
Vitet 2014, 2015, 2016 ishin jashtëzakonisht të suksesshme për Feronikelin. Dy herë Kampion i Kosovës (2014-15, 2015-16), dy herë fitues i Kupës së Kosovës (2014-15, 2015-16), një herë fitues i Superkupës (2014-15).
Suksesi tjetër, ndoshta më i madhi që prej krijimit të klubit, ishte në sezonin 2018-19, nën ‘orkestrimin’ e presidentit, Naser Ramaj.
Feronikeli arriti që me gjithsej rekord pikësh, saktësisht 80 sosh, më shumë se çdo kampion tjetër në pasluftën e Kosovës, ta rrëmbejnë kampionatin, duke fituar të gjithë titujt e mundshëm të Kosovës.
Gjatë sezonit 2018-19, Feronikeli u shpall Kampion i Kosovës, fitoi Kupën e Kosovës, Superkupën e Kosovës e madje edhe trofeun e Pavarësisë, duke arritur që për herë të parë të licencohet për garat e UEFA Champions League dhe UEFA Europa League.
Nën brohoritjet e tifogrupit “Tigrat e zi”, Feronikeli u përfaqësua me dinjitet në të gjitha garat e UEFA-s që mori pjesë.
Një tjetër sukses i jashtëzakonshëm, ishte fakti që për herë të parë skuadra e AC Milan arriti në Kosovë për të zhvilluar një ndeshje miqësore me skuadrën e Feronikelit. Kjo ndoshta ishte miqësorja më e madhe në kohën e pasluftës, me një prezencë të një si AC Milan në Prishtinë.
Feronikeli gjithashtu tani ka Shkollën/Akademinë e Futbollit, ku ushtrohen e marrin mësim të gjitha grupmoshat, deri në fazën finale, atë U21. Në këtë shkollë janë të regjistruar me shumë së 300 futbollistë të rinj, të cilët janë shpresa e futbollit në vendin tonë. Numri i madh i lojtarëve të rinj do të shërbejnë si një bazë e mirë furnizimi te skuadra e parë e Feronikelit.
Gjithashtu, Feronikeli ka edhe klubin e femrave KFF Feronikeli të cilat bëjnë gara në Ligën e femrave të Kosovës.