Feronikeli synon me fitore të debutojë në Ligën e Kampionëve
Kastriot Rexha është gati të “bombardojë” portën e kundërshtarëve në Ligën e Kampionëve, Lincoln Red Imps. Sulmuesi shtatlartë pret fitore në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për skuadrën nga Drenasi.
Kampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës në Futboll për edicionin 2018/2019, Feronikeli, po synon që të debutojë me fitore në garat e Ligës së Kampionëve. Në fakt, skuadra nga Drenasi sonte (e martë) do të luajë ndaj Lincoln Red Impsit në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45 në kuadër të rrethit preliminar në Ligën e Kampionëve.
Kastriot Rexha ka thënë për “Epokën e re” se synim i kampionëve të Kosovës është prezantimi sa më i mirë i futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe normalisht edhe rezultati pozitiv. Sulmuesi kryesor në futbollin e Kosovës është shumë i lumtur se ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. “Jemi mirë të përgatitur maksimalisht për të debutuar në arenën ndërkombëtare, pasi për mua personalisht dhe skuadrën e Feronikelit është ndeshja e parë në Evropë. Pas sukseseve në rrafshin vendor është koha që ‘Nikli’ ta prezantojë në mënyrë se më të mirë futbollin tonë dhe normalisht se duam edhe fitore. Jam shumë i lumtur se ndeshja zhvillohet në Prishtinë dhe se tifozët mund të jenë nga afër për ta përcjellë këtë ndeshje të rëndësishëm dhe për të na mbështetur siç dinë ata”, ka thënë Rexha, i cili është ndër më meritorët për suksesin e dyfishtë të Feronikelit në edicionin e fundit.
Sulmuesi shtatlartë ka folur edhe për skuadrën kundërshtare, duke e vlerësuar maksimalisht, në kohë të njëjtë duke konfirmuar se djelmoshat e drejtuar nga trajneri Zekrija Ramadani nuk kanë aspak frikë. “E njohim kundërshtarin dhe mund të them se ka një përvojë të madhe dhe ne kemi respekt për këtë skuadër, por jo frikë. Kemi futbollistë të dëshmuar dhe me përvojë në skuadër që mund t’u bëjnë ballë pa ndonjë problem kundërshtarëve në këtë nivel”, ka deklaruar ai. “Detyra e çdo sulmuesi është shënimi i golave. Do të angazhohem maksimalisht dhe shpresoj të shënoj në ndeshjen time të parë në Evropë, por dëshira më e madhe është që skuadra të fitoj”, ka thënë Rexha.
Ndërsa skuadra e Feronikelit nëpërmjet një njoftimi për medie ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve që jetojnë afër stadiumit “Fadil Vokrri” dhe të mos parkojnë veturat rreth stadiumit për faktin se ndeshja ka një rëndësi të madhe dhe numri i shikuesve pritet të jetë i madh.
Sot (e martë) në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 15:00 zhvillohet edhe ndeshja tjetër në mes Tre Penne dhe FC Santa Coloma. Fituesit e këtyre dy ndeshjeve do të përballen ndërmjet vete në finale.
/Veton ZYMBERI/