Feronikeli synon ta ruajë pozitën e parë

28 shtator 2019 | 11:33

Kampionët e Feronikelit janë përgatitur maksimalisht që ta fitojnë edhe ndeshjen në përballjen me Ferizajn e cila zhvillohet sot (e shtunë) nga ora 15:00.

Kampioni në fuqi i IPKO Superligës, Feronikeli, sot (e shtunë) e pret skuadrën e Ferizajt në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në kuadër të javës së shtatë. “Nikli” që mori kreun e tabelës, pas humbjes së Gjilanit nga Prishtina, po synon ta fitojë edhe përballjen me Ferizajn në mënyrë që të mbetet në këtë pozitë edhe pas ndeshjeve të kësaj fundjave.

“Nikli” ka pikë të barabarta me Gjilanin, por ky i fundit në këtë xhiro takohet me rivalët e Dritës që pozicionohen në pozitën e tretë me vetëm një pikë më pak të grumbulluar. Futbollisti Jean Agostinho da Silva – Carioca ka thënë për “BlicMedia” se skuadra nga Drenasi nuk bën ta bëjë gabimin e njëjtë sikurse në vitin e kaluar ndaj Ferizajt. “Ne jemi duke e pritur një ndeshje shumë të vështirë. Sezonin e kaluar kemi humbur ndeshjen kundër tyre në shtëpi dhe gati e kemi humbur titullin e kampionit. Kemi punuar që t’i evitojmë gabimet dhe të bëjmë paraqitje të mirë. Nuk duhet t’i bëjmë gabimet e njëjta si në ndeshjen e fundit”, ka thënë Agostinho Da Silva.
Ndryshe nga skuadra e Feronikelit, Ferizaj nuk po kalon nëpër momente të mira, pasi nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara i ka humbur katër, kurse dy prej tyre ka arritur t’i fitojë. Për ndeshjen ndaj kampionëve ka folur edhe mbrojtësi i Ferizajt, Dardan Çerkini. Ky i fundit nuk ka parashikuar ndonjë epilog të ndeshjes, por ka premtuar se do të angazhohet maksimalisht në këtë përballje.

“Sa i përket ndeshjes së ardhshme ndaj Feronikelit, mund të them se është e vështirë, sepse kundërshtari është kampion në fuqi dhe fitues i Kupës. Ne do të shkojmë në Drenas që ta japim maksimumin dhe të shohim çfarë rezultati mund të nxjerrim. E mira është se nuk kemi asnjë mungesë për këtë ndeshje kaq të rëndësishme”, ka thënë Çerkini.

Sot zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera ku takohen Llapi – Dukagjini dhe Trepça ‘89 – Flamurtari. Ndërsa të dielën zhvillohet derbi më i madh në futbollin e Kosovës në mes të Gjilanit dhe Dritës, kurse në kuadër të kësaj xhiro takohen edhe Vushtrria – Prishtina dhe Drenica – Ballkani.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Adem Grabovci, së bashku…