Feronikeli tërhiqet nga garat
Klubi i femrave në futboll, KFF Feronikeli ka njoftuar zyrtarisht se është tërhequr nga garat në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Me anë të një komunikate për shtyp, klubi drenicas ka bërë me dije se vendimi vjen pasi Komiteti Ekzekutiv i FFK-së refuzoi ankesën e tyre për ndeshjen finale kundër KFF Mitrovicës.
Njoftimi i plotë:
“Me keqardhje e kemi pranuar vendimin e datës 14.07.2020, ku në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, refuzohet ankesa jonë që ka të bëjë me rezultatin e ndeshjes KFF Mitrovica – KFF Feronikeli.
Klubi i Futbollit të Femrave Feronikeli, ka qenë i vetmi klub që i ka bërë ballë “monopolit” të krijuar nga KFF Mitrovica në Ligën e Femrave dhe gjatë gjithë kohës kemi bërë paraqitje me dinjitet dhe zhvillim tejet sportiv të lojës në Ligën e Femrave, duke u bërë shumë shpejt shembull edhe për skuadrat tjera dhe atraksion nëpër mediet e huaja dhe vendore.
Kemi arritur të grumbullojmë futbolliste tejet të talentuara në radhët tona, duke kontribuuar në zhvillimin e futbollit të femrave në Kosovë, që për fat të keq ende nuk është në nivelin e dëshirueshëm.
Jemi të vetëdijshëm që situata me pandeminë COVID-19 e ndryshoi rrjedhën e jetesës, e patjetër edhe rrjedhën e garave në Ligë. Edhe pse të pakënaqur, pranuar që të zhvillohet një ndeshje, dhe atë me vazhdime edhe pse vajzat nuk kanë qenë të përgatitura për një ndeshje 120 minutëshe (duke llogaritur që të gjitha Federatat e shteteve të zhvilluara kishin anuluar ndeshjet me vazhdime shkaku i kohës së shkurtër për përgatitje).