Feronit alias “Khattabi” shoqërohet me të dënuarin për rekrutim të luftëtarëve të ISIS-it
Reperi i famshëm Fero, muajin e kaluar njoftoi se si shkas i orientimit në fenë islame po lë përfundimisht muzikën, lajm ky i cili bëri bujë në media. Gjatë tërë kësaj kohe, ai vazhdimisht surprizoi publikun me lëvizjet që bënte, deri aty sa ndërroi edhe emrin, nga Feronit, në Khattab, raporton Gazeta Sinjali.
Së fundmi është mësuar, se Fero tashmë po shoqërohet me një person të dënuar nga Gjykata për terrorizëm.
Bëhet fjalë për Musa Ademin, i cili ishte shpallur fajtor në vitin 2016 dhe ishte dënuar me 5 vjet burgim, për rekrutim të luftëtarëve të grupit terrorist ISIS.
Ademi është ai që ka publikuar foto dhe video bashkë me Feron, në rrjetin social TikTok, ku shihen bashkë edhe me persona të tjerë.
Musa Ademi akuzohej se bënte propagandë intensive, verbale, si dhe përmes mediave sociale, përmes të cilave ka dërguar informata dhe fotografi lidhur me aktivitetet terroriste të organizatës ISIS, e njëkohësisht prej burimeve të ndryshme ka siguruar fonde të ndryshme materiale duke blerë biletat e aeroplanit te nxjerra në një agjenci, për linjën Prishtine – Stamboll.
Ndër tjera ai thuhet se në muajin gusht 2013, ka ndihmuar largimin nga Kosova të personave B.H dhe F.I. përmes Aeroportit të Prishtinës për në Stamboll.
Më pastaj, “këta dy persona i janë bashkuar organizatës terroriste ISIS, në Siri, e që tani i ndjeri B.H me date 25 mars 2014 ka kryer akt vetëvrasës terrorist në shtetin e Irakut duke vrare veten dhe 52 persona të tjerë, ndërsa F.I ende gjendet në Siri si pjesëtarë i aktiviteteve të grupit terrorist”.
Po ashtu, Musa Ademi ishte shpallur fajtor pasi gjatë muajit maj ka organizuar shkuarjen në Siri të personave F.L dhe N.B i cili në momentin e fundit e ka ndërruar mendimin dhe nuk ka shkuar në këtë organizate, kurse F.L si pjesëtarë i ISIS-it në Siri ka qëndruar rreth 5 muaj dhe tani gjendet në vuajtje të dënimit për aktivitetet terroriste në këtë organizatë.
Pas hetimeve, në shkurt të vitit 2015, Musa Ademi ishte arrestuar dhe më pas ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për rekrutim në terrorizëm.