Ferrari dhe Vettel e nisin me fitore
Sebastian Vettel me Ferrari fitoi sot garën e parë sezonale të Botërorit të Formula 1. Piloti gjerman preu i pari vijën e finishit në garën e zhvilluar mëngjesin e sotëm në Melburn, të vlefshme për Çmimin e Madh të Australisë. Në podium u ngjitën edhe Lewis Hamilton me Mercedes (i dyti), që e nisi garën nga “pole” dhe makina tjetër Ferrari e Kimi Raikkonen (i treti).
Një triumf i merituar i Vettel, që mbrojti fitoren e një vit më parë, duke përfituar edhe nga situata e krijuar në mesin e garës, falë një strategjie të mirë të “kokëkuqes”. Por makina Mercedes u duk e pakapshme në pjesën e parë të garës, ndërkohë që dy makinat e Ferrarit përfituan nga momentet e krijuara dhe u ngjitën të dyja në podium.
Çelësi i fitores së Vettelit ishte xhiro e 25-të, momenti kur në pistë u vendos regjimi i makinës së sigurisë virtuale pas një problemi që kishte makina e Grosejan (Haas), me Hamilton dhe Raikkonen që e kishin kryer ndalesën për të ndërruar gomat. Nga kjo situatë përfitoi piloti gjerman i Ferrarit, që bëri ndalesën e tij dhe doli para rivalëve, pozicion që e ruajti deri në fund edhe pse përpjekjet e Hamilton ishin të mëdha për të rimarrë kreun, por pa sukses.
Në vendin e katërt u rendit Daniel Ricciardo me Red Bull e pas tij Fernando Alonso me McLaren. Në renditjen e “Top 10” të garës së Australisë u renditën edhe Verstappen (Red Bull), Hulkenberg (Renault), Bottas (Mercedes) dhe Vandoorne (Mclaren). (Telesport)