Ferrari ‘mbyll’ sezonin, Vasseur: Po punojmë që tani për vitin 2024
Sezoni 2023 për Ferrarin mund të konsiderohet i mbyllur. Pas garës zhgënjyese në Silverstone (Angli) te “kokëkuqja konfirmojnë se janë përqendruar tek e ardhmja për të ndërtuar një makinë kompetitive për vitin 2024.
Ai që ka folur për mediet është drejtori sportiv i Ferrarit, Frederic Vasseur, i cili ka thënë: “Duke parë edhe rregullat e reja të buxhetit, që nuk duhet kaluar një limit i caktuar, nuk është e thjeshtë të bëjmë shumë hapa përpara këtë kampionat”.
“Për pasojë, ne jemi duke punuar që tani për projektin e vitit 2024 dhe jemi duke punuar në atë drejtim. Ndaj duhet adaptuar makina e këtij sezoni me projektin e vitit tjetër dhe, sipas mendimit tim, kemi bërë disa hapa përpara në këtë drejtim”, u shpreh më tej Vasseur. Ferrari nuk ka arritur të fitojë asnjë garë në këtë sezon të Formulës 1 dhe për momentin është forca e katërt në kampionat. Në garën e fundit pilotët e “kokëkuqes” u renditën në vendet 9-10. Për pasojë, skuadra ka vendosur të përgatitet për një të ardhme më të mirë.