Ferrari në bisedime me Vettelin
Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, skuadra e Ferrarit është gati t’i rinovojë kontratën pilotit gjerman Sebastian Vettel.
Kontrata e Vettelit skadon në fund të këtij viti dhe e ardhmja e tij është ende e paqartë. Kohët e fundit është përfolur për një transferim të Lewis Hamilton nga Mercedes te Ferrari, por duket se Vettel ka bindur drejtuesit e “kokëkuqes” t’i rinovojnë kontratën dhe të qëndrojë edhe vitin 2021.
Një muaj më parë, Ferrari i rinovoi kontratën deri në vitin 2024 pilotit tjetër, Charles Leclerc dhe të njëjtën gjë mund të bëjë edhe me Vettel.
Mes pilotëve kandidatë është edhe Mick Schumacher, por vështirë se djali i Michael Schumacher të pilotojë një Ferrari që në sezonin e parë në Formula 1. Ndër emrat e tjerë që priten si mund të pilotojnë një Ferrari në vitin 2021 janë ata të Fernando Alonso dhe Antonio Giovinazzi.