Ferrari nuk i ndryshon pilotët as në 2020-n
Pas garës së Austrisë u përhapën zëra se Max Verstappen mund të largohet nga Red Bulli për të pilotuar një Ferrari sezonin e ardhshëm.
Gjithsesi, shefi i “kokëkuqes”, Mattia Binotto, ka deklaruar se dy pilotët e Ferrarit për vitin 2020 do të jenë sërish Sebastian Vettel dhe Charles Leclerc. “Ne kemi një kontratë në fuqi me dy pilotët aktualë dhe jemi të kënaqur me ta. Ndaj, sezonin e ardhshëm dyshja Vettel-Leclerc është e rikonfirmuar. Nuk kemi asnjë arsye për t’i ndryshuar pilotët tanë”, u shpreh Binotto. Kjo deklaratë mbyll edhe shanset e një rikthimi të spanjollit Fernando Alonso te Ferrari.
Kohët e fundit është përfolur se dy herë kampioni i botës mund të rikthehet në Formula 1 me “kokëkuqen”. Gjithsesi, duket se të gjitha këto fjalë do të mbesin në kuadrin e thashethemeve.